Arrestimi i kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqi ka aktivizuar mekanizmat mbrojtës të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje për t’i dal në mbrojtje bashkpartiakut të tyre që u ndalua të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Shumë deputetë reaguan e përdorën gjuhë të ashpër ndaj kryeprokurorit të Speciales. Madje deputeti Halil Thaçi shkroi në Facebook se mund të ketë “atentat” brenda burgut ndaj Nagip Krasniqit.
Insajderi e ka kontaktuar sot deputetin Thaçi për të sqarua më shumë brengen e tij për një “atentat” dhe rrezikun që ai pretendon se ka kryeshefi Nagip Krasniqi.
Halil Thaçi tha se arsyeja e brengës së tij për sigurinë e Krasniqit ndërlidhet me imporin e energjisë nga kompania serbe EPS e cila sipas Thaçit udhëhiqet nga një lider i mafias së energjisë në rajon.
“Unë vazhdoj më e pas brengen e sigurisë së drejtorit për arsye se unë kam qenë anëtar i Komisionit Hetimor 2006-2022. Merreni parasysh se që nga paslufta importuesi kryesor në Kosovë ka qenë Elektroekonominë e Serbisë (EPS) e Novakoviqit e kur flasim për të ose djalin e tij që është pronar kemi të bëjmë më një kolonel kriminel i ushtrisë jugosllave në Kroaci e Bosnjë, kemi të bëjmë me një person i cili është lider i mafias së energjisë në rajon. Prandaj ta keni parasysh, me këtë Krasniqi i ka rënë gjarprit në kokë, kur them gjarprit në kok them për mafien e energjetike në rajon, ata që ushqenin gjarprin asnjëherë nuk janë arrestua, asnjë drejtor i KEK’ut nuk është arrestuar. Sa skandali ka ndodhur me thëngjill e shifra marramendëse”, ka thënë ai.
Tutje, Thaçi aludon se i gjithë aksioni i djeshëm i Prokurorisë ka qenë për të bërë zhurmë për të zbehur liberalizimin e vizave që siç thotë ai ka qenë meritë e partisë në pushtet.
“Krejt kjo ka ndodhur, është bërë një zhurme e madhe për të zbehur liberalizimin e vizave sepse është meritë e partisë në pushtet”, tha tutje ai.