Opinionisti Adem Bytyçi, i ka reaguar shefit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi. Ky i fundit, ka thënë se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Kuvendin e Kosovës.
“Do ta shqyrtojmë shpejt edhe marrjen pjesë në votim në Kryesi. Është puç institucional kapja e buxhetit të komunave .Ka sjellje tekanjoze dhe është e palejueshme dhe e patejkalueshme”, ka thënë Gashi, që më pas me deputetët e LDK-së ka lëshuar seancën.
Por, Bytyçi i ka kërkuar atij që të ketë kujdes, pasi, sipas tij, interesat e elektoratit dhe të Kosovës, nuk mbrohen duke lëshuar seancat parlamentare, përcjell Bota sot.
“Arben Gashi, kujdes!
Mos keqpërdor besimin e atyre qytetarëve, të cilët ta kanë dhënë besimin dhe mundësinë që në Parlamentin e Republikës së Kosovës ti mbroni interesat e tyre dhe të vendit.
Z.Gashi, nuk mbrohen interesat e elektoratit tuaj të LDK-së, duke i lëshuar seancat parlamentare , por duke qëndruar aty në Parlament për t'u ballafaquar me argumente për çështjet më fundamentale në interes të vendit dhe qytetarëve.
Sjellja juaj sot në seancën e parlamentit të Kosovës, bojkoti i seancës nga partia juaj, tregon pa aftësinë e subjektit tuaj politik për t'i mbrojtur interesat edhe të elektoratit, edhe të qytetarëve.
Aty ky është vendi, aty ku ballafaqohen argumentet, pra në seancat e parlamentit”, ka shkruar opinionisti në një reagim të dërguar në gazetën “Bota sot”.