Kryeministri Albin Kurti nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit. Nga aty, kreu i ekzekutivit kujtoi edhe kontributin e BIK-ut në luftën për çlirimin e vendit.
Kurti tha se, muaji i shenjtë i Ramazanit, që paraprin festës së Bajramit të Madh, ka shtuar solidaritetin në popull, por uroi që kjo të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë të vitit.
Kurti: Besimtarëve iu uroj festë të gëzuar
“Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore të njeriut gjatë jetës dhe solidariteti shoqëror e farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm në këtë muaj por të jetë në secilin muaj të gjithë vitit. U dëshiroj festë të gëzuar, u dëshiroj çaste të lumtura në sofrat e tyre të gjithë besimtarëve, Zoti ua bëftë kabull të gjithë agjëruesve”, deklaroi Kurti.
Kurti u kujdes që, siç tha ai, të kujtojë, kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në luftën e fundit çlirimtare.
Kryeministri shtoi se BIK, pjesëtarët e të cilës u përballën me kritika për përdhosje të flamurit kombëtar pas paraqitjeve në rrjete sociale, ka lëshuar hapësirat e saj për të strehuar veprimtarë politikë.
Ai tha se në Medresenë Alaudin janë mbajtur tubime e diskutime e për rrjedhojë janë marrë vendime të rëndësishme në vitet ’90-ta. Gjithashtu, ai përmendi edhe hoxhallarët që kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit.
Kurti: Në luftën e fundit kemi 37 hoxhallarë dëshmorë
“E dimë se nga lufta e fundit çlirimtare 37 hoxhallarë, imamë, i kemi dëshmorë të kombit sot dhe në këtë stinën e pranverës ku për çdo ditë kujtojmë masakra dhe beteja na duhet të ecim midis varreve ku ka emra të martirëve e dëshmorëve në mesin e të cilëve aq shumë janë edhe imamë e aq shumë janë edhe besimtarë. Kjo tregon për rolin e madh që ka pasur Bashkësia Islame për çështjen tonë kombëtare dhe ne jemi përherë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti.
Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësja e tij, Emilia Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku si dhe këshilltarë të tjerë.