Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në veri Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë pozicionuar në krahun e Kosovës.
Përfaqësuesit e ShBA-së dhe Kosovës iu kanë dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit, të cilat kanë për qëllim zgjedhjen e kryetarëve të katër komunave veriore.
Kjo mbështetje duke se ka ndikuar që Serbia të tërhiqet nga skenarët për nxitjen e incidenteve në veri për të penguar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Tani Serbia dhe Lista Serbe, që ka bojkotuar zgjedhjet, po bëjnë vetëm thirrje për bojkot.
Sot, Bashkimi Evropian ka ftuar palët që të tregojnë përmbajtje të dielën.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë thirrje që zgjedhjet për kryetar të katër komunave me shumicë veriore të mbahen në mënyrë të qet.
“Është e domosdoshme që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore dhe BE fton të gjitha palët që të tregojnë përmbajtje”, ka thënë Stano, raporton REL.
Ai ka pranuar se deri me tani shumë pak është bërë në uljen e tensioneve në atë pjesë të vendit.
Sipas tij, serbët është dashur të kthehen në institucioneve.
“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, ka deklaruar Stano.
Edhe SHBA-ja pro mbajtjes së zgjedhjeve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pozicionit pro qëndrimin të institucioneve të Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht bojkotit të Listës Serbe.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Hovenier iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhje. “Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Hovenier.
Ai ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara se bashku partnerët e tyre do ta vëzhgojnë nga afër procesin zgjedhor.
Edhe më qartë në këtë drejtim ka qenë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.
“Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ka thënë Escobar.
KQZ-ja gati për zgjedhje
Një ditë para mbajtjes se zgjedhjeve në veri, KQZ-ja ka mbajtur një mbledhje. Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka treguar se ky institucion i ka bërë të gjitha përgaditjet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Meqë nesër është dita e zgjedhjeve për komunat e veriut ne si KQZ kemi ndërmarrë te gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve. Kemi vendosur të gjitha vendvotimet e miratuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve. Andaj në emër të KQZ i ftoj të gjithë qytetarët e komunave të veriut të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të dalin të votojnë. Shpresojmë që i gjithë procesi do të shkojë i qetë dhe i lirë”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, KQZ-ja ka vendosur që për zgjedhjet e 23 prilli të hapen 19 qendra votimit, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë, kurse 6 do të jenë qendra të rregullta.
KQZ-ja ka vendosur që të ulet edhe numri i vendvotimeve. Nga 69 sosh sa kanë qenë më herët, tani do të jenë vetëm 34.
Gjithashtu, është vendosur që edhe numri i votuesve për një vendvotim të rritet nga 750 në 2 mijë votues. Kjo për shkak të zvogëlimit të numrit të qendrave të votimit./VOA