KQZ-ja shpall rezultatet preliminare të zgjedhjeve në 4 komunat veriore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve të cilat janë mbajtur sot në katër komunat në veri të vendit.
Sipas KQZ-së, në Leposaviq zgjedhjet i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me 73.5%, në Zubin Potok ka fituar Partia Demokratike e Kosovës me 52.1%, në Zveçan ka fituar PDK-ja me 60% dhe në Mitrovicë të Veriut ka fituar LVV-ja me 66.5%.
KQZ-ja ka njoftuar se në këto zgjedhje kanë marrë pjesë 1.567 qytetarë apo 3.47 %.
Sipas shifrave të publikuara, pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve ishte në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës: Zgjedhjet në katër komunat veriore, të qeta
Policia e Kosovës (PK), dekaroi se deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës,
Ky proces, në aspektin e sigurisë, vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident.
Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës njofton se përveç ofrimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor, plani operativ ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, në bashkëpunim dhe koordinim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.
Më tej, Policia e Kosovës bën të ditur se mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit kushtetues, krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përcjelljen e materialit sensitiv e deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.
Publikohen rezultatet preliminare për zgjedhjet në veri, PDK dhe LVV fitojnë nga dy komuna
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq me 519 vota apo 66.5 për qind, pasuar nga kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi me 186 vota apo 23.8 për qind, kurse Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica ka marrë 75 vota apo 9.6 për qind.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar po ashtu në Komunën e Leposaviqit me kandidatin Lulzim Hetemi, i cili ka marrë 100 vota apo 73.5 për qind, pasuar nga kandidatja e PDK-së, Albulena Behluli-Hetemi që ka marrë 34 vota apo 25 për qind.
Ndërkaq, në dy komunat të tjera, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas të dhënave të KQZ-së ka fituar Partia Demokratike.
Në Zubin Potok ka fituar kandidati i PDK-së, Izmir Zeqiri me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse kundër kandidati i tij nga LVV, Flatron Hasani ka marrë 180 vota apo 47.9 për qind.
Në anën tjetër, Ilir Peci nga PDK-ja ka fituar 114 vota në Zveçan apo 60.0 për qind, pasuar nga kandidati i LVV-së, Lulzim Peci me 71 vota apo 37.4 për qind.
Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Prokuroria: Votimi në veri kaloi pa asnjë rast nga veprat penale
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë gjithë ditës ka mbikëqyrë procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat e Republikës së Kosovës, për kryetar të Komunës në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ndërsa të parakohshme për dy kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë, pas përfundimit të procesit të votimit dhe mbylljes së vendvotimeve, nuk kanë të evidentuar asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të votimit.
“Prokurori i Shtetit do të vazhdoj të mbikëqyr procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi”, thuhet në njoftim.
Atiq: Unë si kandidat kam dalur fitues i këtyre zgjedhjeve.
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës.
Ishte kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, i cili ka shpallur fitoren sipas tij me mbi 65% të votave në këtë komunë.
Ai në një dalje publike ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë banoreve edhe të atyre që e votuan e edhe i atyre që nuk e votuan.
“Kena fitu. Unë si kandidat kam dalur fitues i këtyre zgjedhjeve. I falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar dhe ata që nuk më kanë votuar, do të jem kryetar për të gjithë. Na presin punë të mëdha përpara. I ftoj qytetarët që të kenë besim në institucionin e komunës me mua në krye”, tha Atiq
Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1567 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente.
Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind. Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe.
Prokurorja Pula: Asnjë incident nuk është raportuar gjatë zgjedhjeve
Koordinatorja për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së jashtëzakonshme në veri ka qenë e qetë, dhe se prokurorët kanë qëndruar atje gjatë gjithë ditës.
“Mund të themi se deri në ora 19:00 kur janë mbyllur vendvotimet në katër komunat e veriut dhe nga informatat që kemi marrë nga prokurorët kujdestarë nuk ka pasur asnjë incident.
Gjatë ditës prokurorët kanë qenë bashkë me policinë dhe kanë vizituar të gjitha qendrat e votimit.
Mund të them se procesi ka kaluar pa asnjë incident. Megjithatë prokurorët do të jenë aty derisa të numërohen edhe votat”, deklaroi Pula.
Radoniqi: Zgjedhjet në veri përfunduan pa asnjë problem e incident, votuan mbi 1 500 qytetarë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në katër komunat veriore të vendit ka përfunduar pa ndonjë problem.
Ai, në një konferencë për medie, ka thënë se procesi ka përfunduar me kohë në të gjitha qendrat e votimit.
“Anëtarët e KQZ-ës tani janë duke e bërë numërimin e të gjitha votave, besoj që rezultatet preliminare do të publikohen pas orës 20:00”.
Radonqiqi ka njoftuar edhe për numrin e votuesve në këto qytete, që janë si në vijim.
“Në Leposaviq kemi 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin Potok kemi 385 votues apo 5.78%, në Zveçan kemi 204 votues apo 2.92%, si dhe në Mitrovicën e veriut kemi 837 votues apo 4.62%”.
Në katër komunat veriore votuan 1567 qytetarë
Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo u bë e ditur në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Në prezantimin e të dhënave, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tregoi në detaje numrin e votuese për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Ai tha se i tërë procesi zgjedhor gjatë të dielës është zhvilluar pa ndonjë problem.
Radoniqi: Procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem
“Procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem. Të gjitha qendrat e votimit ku është zhvilluar procesi i votimit janë mbyllur. Aktualisht anëtarët e këshillave në këto qendra janë duke bërë numrin e fletëvotimeve. Ju njoftojmë se në ditën e sotme numri i qytetarëve që kanë votuar është si në vijim: Në Leposaviq kemi 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Potok kemi 385 votues apo 5.78 për qind, në Zveçan kemi 204 votues apo 2.92 për qind, në Mitrovicën e Veriut 837 votues apo 4.62 për qind”, tha ai.
Derisa ka potencuar se KQZ-ja ka ofruar mundësinë dhe kushtet për secilin qytetarë me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre.
Radoniqi: KQZ-ja ka ofruar mundësinë dhe kushtet për votim
“Dua të përsërisë se KQZ-ja ka ofruar mundësinë dhe kushtet për të gjithë qytetarët me të drejtë vote në këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike”, shtoi ai.
Krahas kësaj, ai bëri të ditur se rezultatet preliminare do të dalin gjatë orëve në vijim
Kryetari i KQZ-ës: Zgjedhjet përfunduan pa asnjë problem dhe incident
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se sot procesi zgjedhor në katër komunat veriore të vendit ka përfunduar pa ndonjë problem.
Ai, në një konferencë për media, ka thënë se procesi ka përfunduar me kohë në të gjitha qendrat e votimit.
“Anëtarët e KQZ-ës tani janë duke e bërë numërimin e të gjitha votave, besoj që rezultatet preliminare do të publikohen pas orës 20:00”, ka thënë Radonqiqi.
Radonqiqi ka njoftuar edhe për numrin e votuesve në këto qytete, që janë si në vijim: Në Leposaviq kemi 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin Potok kemi 385 votues apo 5.78%, në Zveçan kemi 204 votues apo 2.92%, si dhe në Mitrovicën e veriut kemi 837 votues apo 4.62%.
Përfundon procesi zgjedhor në katër komunat veriore të vendit
Ka përfunduar në ora 19:00 procesi i votimit në zgjedhjet e katër komunave veriore të vendit.
Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.
Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore, 6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok si dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.
Gjatë ditës zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka raportuar se deri në ora 15:00 dolën për të votuar 2.4 për qind e qytetarëve, në Leposaviq, kanë votuar 110 qytetarë apo 0.83 për qind, në Zubin Potok 240 apo 3.6 për qind, në Komunën e Zveçanit 145 apo 2.07 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 597 qytetarë apo 3.3 për qind.
Po ashtu, Elezi ka deklaruar gjatë ditës se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, dhe se nuk është shfaqur ndonjë parregullsi apo problem.
13 qendra të votimit janë krijuar dhe mbajtur në kontejnerë të cilat janë ruajtur nga Policia e Kosovës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë organizuar pas dorëheqjes së katër kryetarëve në nëntor të vitit të kaluar. Fillimisht këto zgjedhje u caktuan për 18 dhjetor, por u shtyn për sot shkak të rritjes së tensioneve.