Sot kur në veri të vendit po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave me shumicë serbe, kryetari i Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, Jahja Lluka ka kujtuar Masakrën e Mejës dhe të zhdukurit nga forcat paramilitare serbe.
Lluka përmes një statusi në Facebook ka propozuar më 27 prill, në ora 20:00, të ndalet ndriçimi në të gjithë vendin, për të shënuar Ditën e të Pagjeturve dhe atë të përvjetorit të Masakrës së Mejës.
“Më 27 prill në ora 20:00 në shënim të masakrës së Mejës dhe ditën e të pagjeturve le ta ndalim 2 minuta ndriçimin në gjithë Kosovën...
Mos t’i harrojmë krimet e Serbisë që i vrau, i masakroi, i dhunoi, duke i shëtitë nga një varrezë në tjetrën për ta fshehur krimin e vet.
Për 2 minuta të jemi me 1640 familjarë të cilët tash 24 vjet presin në akth një lajm për më të dashurit e tyre. 2 minuta për shpirtin e tyre”, ka shkruar ai.