Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas gjetjes së një trupit të pajetë në një nga tunelet e Ibër Lepencit.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se trupi i pajetë është nxjerrë nga zhytësit e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë dhe ekipi i AME-së.
Ai tutje ka përgëzuar pjesëtarët për profesionalizmin e treguar.
Në fund Sveçla ka thënë se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave.
Postimi i plotë:
Pas raportimit në Policinë e Kosovës për zhdukjen e një qytetari të komunitetit serb në fshatin Zupç të Zubin Potokut, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent kanë trajtuar me seriozitet njoftimin e zhdukjes së tij me dyshimin për rënie në kanalin e Ibër Lepencit, rrjedhë e Liqenit të Ujmanit.
Sot, zhytësit e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë dhe ekipi i AME-së pas një pune me shumë përkushtim, kanë gjetur trupin e pajetë të qytetarit në një nga tunelet e këtij kanali.
Përgëzoj pjesëtarët për profesionalizmin e treguar, falënderoj përgjegjësit e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc” për bashkëpunimin ndërsa familjes së të ndjerit i shpreh ngushëllimet e mia. Hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të vdekjes së tij.