Edhe mediet e huaja kanë kushtuar vëmendje për zgjedhjet në veriun e Kosovës, me fokus te bojkoti serb për shkak të presioneve që Serbia ka ushtruar ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për 4 kryetarët e komunave në veriun e Kosovës kanë zgjuar interesimin e medieve ndërkombëtare, shumica prej të cilave kanë qenë të fokusuara te numri i vogël i pjesëmarrësve të serbëve në këto zgjedhje, për shkak të presionit që ka ushtruar Serbia.
Kështu Reuters në tekstin e titulluar “Serbët e Kosovës refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”, mes tjerash, ka cekur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që serbët e Kosovës t’i bojkotojnë zgjedhjet, pasi që në to nuk marrin pjesë përfaqësuesit e “Listës Serbe”.
Reuters shton më tutje se Lista Serbe është përqendruar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si çështje kryesore në politikën e Serbisë ndaj Kosovës.
Ndërkaq mediumi publik i Polonisë (TVP), flet për numrin e vogël të pjesëmarrësve të votuesve serbë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, të nxitur nga Beogradi.
“Fakti që Serbia kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhje me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shenjë që marrëveshja e nënshkruar, muaj më parë, mes Kosovës e Serbisë në Ohër, nuk është duke funksionuar.
Kurse Radio Evropa e Lirë (REL), në raportin e saj flet për bojkotin dhe numrin e vogël të votuesve serbë në zgjedhjet lokale në komuat e veiut të Kosovës.
Sipas REL-it bojkoti i serbëve në pjesëmarrjen në zgjedhje, u organizua nga Beogradi zyrtar. Sipas REL-it ky është një mesazh për Kosovën e ndërkombëtarët se serbët nuk do t’i pranojnë zyrtarët e zgjedhur nga këto zgjedhje.
E Zëri i Amerikës (VOA), gjithashtu ka shkruar për zgjedhjet në veriun e Kosovës, ku, mes tjerash, ka cekur se që nga nëntori i vitit të kaluar dhe dorëheqja masive e zyrtarëve serbë, qytetarët serbë në veriun e Kosovës mbrohen nga policët shqiptarë e që, mes tjerash, njofton edhe për bojkotin masiv i nxitur nga Beogradi zyrtar, duke i shantazhuar e frikësuar kandidatët dhe qytetarët serbë për të mos marrë pjesë në zgjedhje, ku prej dhjetë kandidatëve për kryetarë komunash, ka marrë pjesë vetëm një prej tyre.