Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook në lidhje me zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat me shumicë srbe në veri.
Kurti e ka pranuar se ka pasur një bojkot dhe se ka pasur një dalje shumë të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.
Fajin për këtë bojkot ai e ka lënë te “fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri.”
Në zgjedhjet e djeshme morën pjesë rreth 3.7 për qind e qytetarëve.
Ai ka falenderuar megjithatë “kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje.”
Kurti është zotuar se qeveria e tij do t’i përkrahë dhe ndihmojë ata.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.
Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë.
Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre.