Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila i ka quajtur banale deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili në Pressing tha se Nagip Krasniqi “ia ka lidhur duart e këmbët kryeministrit Albin Kurti.
Kusari-Lila duke folur në DPT te Fidan Jupolli në T7, ka thënë se refuzon të komentoj banalitete. Ajo refuzoi të përgjigjet nëse qeveria frikësohet ta shkarkojë Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime në afera tenderësh.
“Nuk komentoj banalitete, seriozisht. Shumë banalitete janë thënë sot. Këto janë të tjera perla banale që z. Tahiri i paska thënë”, ka thënë Kusari-Lila.
Shefja e deputetëve të VV-së ka deklaruar se sistemi i drejtësisë e ka dëmtuar kredibilitetin e tij. Sipas saj, këtë gjë nuk po e bënë kryeministri Albin Kurti me akuzat e tij të forta së fundmi ndaj prokurorisë.
“Sistemi i drejtësisë e ka kredibilitetin e dëmtuar. Nuk ia ka dëmtuar qeveria Kurti, por ia kanë dëmtuar ata vetes”, ka shtuar ajo.
Kusari-Lila ka thënë se kompanitë e lidhura me KEK-un, janë të afërta me deputetë të PDK-së. Ajo ka thënë se Krasniqi po përpiqej që të shkëpuste nga marrëdhënia me korporatën kompanitë e përmendura.
“Aty ka qenë një rrjet i lidhjeve të kompanive të lidhura me deputetë të PDK-së”
“Deputetët e opozitës e kanë reduktu komplet mandatin e tyre në akuza dhe etiketime ndaj qeverisë.”