Haradinaj bën homazhe në Mejë: Këtu pushojnë ata që kishin vetëm një ëndërr, lirinë e Kosovës

Aktuale

Haradinaj bën homazhe në Mejë: Këtu pushojnë ata që kishin vetëm një ëndërr, lirinë e Kosovës

Më: 27 prill 2023 Në ora: 11:40
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga disa deputetë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në Mejë.

Kreu i AAK-së aty tha se kjo është masakra më e madhe në Kosovë, e që ende mbesin disa persona të pagjetur.

“Me përulje nderojmë sot në vendin ku pushojnë trupat e martirëve të masakrës së Mejës. Masakra e Mejës është masakra më e madhe në Kosovë, 377 të vrarë, në mesin e tyre edhe të marr në Serbi, e po ashtu ka ende të pagjetur. Këtu pushojnë trupat e shqiptarëve të pafajshëm të të dyja besimeve në Kosovë”.

“Këtu pushojnë të gjithë ata që kishin vetëm një ëndërr, lirinë e Kosovës.  U jemi mirënjohës të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë. Mirënjohës u jemi luftëtarëve të UÇK-së. Po ashtu përulemi me respekt ndihmës që na dha bota e përparume në krye me NATO-n nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupat e të gjithë atyre që luftuan për liri do të pushojnë të qetë kur Kosova të anëtarësohet në NATO”, përfundoi Haradinaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat