Seanca e Këshillit të Sigurimit, Gërvalla ia thotë të gjitha në sy Daçiqit – reagojnë përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës!

Aktuale

Seanca e Këshillit të Sigurimit, Gërvalla ia thotë të gjitha në sy Daçiqit – reagojnë përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës!

Më: 27 prill 2023 Në ora: 17:27 Përditësuar në ora: 18:08 më 27.04.2023
Donika Gërvalla Schwarz

Përfaqësuesi rus i reagon Gervallës që tha se nuk u lejua të flasë shqip, ndërhyn edhe Shqipëria

Shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla-Schwarz, në fillim të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, u lejua që të flasë në gjuhën e popullit të tij në seancë, derisa asaj si përfaqësuese e Republikës së Kosovës nuk iu pranua kërkesa që të flasë në gjuhën shqipe.

Për këtë u përgjigj përfaqësuesi i Federatës Ruse, që mban Presidencën, duke thënë se i hedh “këto pretendime” të Gërvallës.

“Dua t’i hedh pretendimet e saj që Presidenca s’e ka lejuar atë që të flasë në shqip. Ne si Presidencë jemi informuar se që ju keni preferuar të flisni anglisht siç keni bërë edhe herë të tjera”.

Për këtë reagoi ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, i cili tentoi ta merrte fjalën për ta përmirësuar atë.

Përfaqësuesi i Federatës Ruse e pyeti se për çka e kërkon fjalën.

“Është për t’u përgjigjur për atë që e thatë sepse s’është e saktë”, tha Hoxha, por shtoi se këtë do ta thotë gjatë fjalës së tij.

Hoxha përmendi shumë raste kur dy përfaqësuese kanë folur në të njëtën gjuhë dhe tha se kjo është në frymën e shumëgjuhësisë së Këshillit të Sigurimit.

Gërvalla ‘shpërthen’ ndaj Daçiqit - e quan “kriminel lufte” në tri gjuhë

“Kurrë më Kosova s’do të jetë viktimë e pambrojtur e gjenocidit” ishin fjalët që i tha kryediplomatja Donika Gërvalla në paraqitjen e saj në seancën e Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara. E nisi me kritika për UNMIK-un, e përfundoi duke e thënë në tri gjuhë se homologu i saj serb, Ivica Daçiq është kriminel lufte. Çka u tha në seancën e sotme?

Seanca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nisi me deklarimin e përfaqësues speciale të Sekretares së Përgjithshme dhe shefes së UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Kjo, paraqiti raportin e UNMIK-ut për Kosovën, derisa më pas pasuan fjalët e Daçiqit dhe Gërvallës.

Çka tha fillimisht Daçiq?

I pari që foli ishte Daçiq. Ky e kishte kryefjalë të fjalimit Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, duke thënë se formimi i tij është parakusht i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Asociacioni i Komunave Serbe ose duhet të bëhet tash ose nuk do të ketë asnjë lloj tjetër të marrëveshjes.” – u shpreh ai.

Mes tjerash, Daçiq përmendi edhe “pamundësinë” e kthimit të serbëve në Kosovë, duke pretenduar se janë rreth 200 mijë.

“Në Prishtinë kanë jetuar 40 mijë serbë, sot janë rreth 100...Në Prizren ku kam lindur dhe ku më duhet leje sot për ta vizituar, kanë jetuar 10 mijë, sot jetojnë rreth 20.” – tha ai.

Ai e përmendi edhe mundësinë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, duke deklaruar si vijon: “Nuk ka asnjë mënyrë asnjëherë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara sepse nuk kanë shumicë”.

“Në fund dua tju them diçka të gjithëve këtu...Para 10 vite unë nënshkrova Marrveshjen e Brukselit, pala tjetër ishte e interesuar vetëm për pavarësinë e Kosovës... Marrëveshja e Ohrit ishte jo për njohje por për normalizim.” – deklaroi Daçiq.

Radha e Gërvallës

Fjalimin e saj ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e nisi duke thënë se nuk iu lejua që të flasë në gjuhën shqipe, ndryshe nga homologu i saj serb i cili foli në gjuhën serbe.

“Derisa Daçiq foli këtu në gjuhën e shumicës shtetit të tij në vend të anglishtes, unë po ashtu dua të flas në shqip, gjuhën që flitet në shtetin tim, Kosovë. Fatkeqësisht, presidenti refuzoi kërkesën time.” – ka deklaruar ajo.

Më pas, Gërvalla vijoi me fjalët e saj. Që në fillim të fjalimit, kryediplomatja kosovare shfaqi kritikat e saj për misionin e UNMIK-ut.

“Problemet e UNMIK-ut në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht janë njohur për shumë vite. Shumë organizata të OKB-së po bëjnë shumë punë nëpër vende. UNMIK është bërë faktor destabilizues, dhe nuk servon stabilitet e paqe në rajon.” – deklaroi ajo.

Trupat e NATO-s janë në Kosovë, dhe kjo sipas Gërvallës, ndalon Serbinë dhe Rusinë për një konflikt tjetër të mundshëm.

“Ushtrimet e Serbisë që janë rritur në vitin 2021, bazat ushtarake pranë Kosovës, dhe trupave serbe në kufijtë tanë e armëve, me propagandë në media, aleanca me krim të organizuar – është e qartë, pa prezencën e NATO-s dhe ShBA-së, do të ishte bërë luftë tashmë.” – tha ajo.

Ministrja e bëri të qartë në deklaratën e saj se Kosova "kurrë më nuk do të jetë viktimë e gjenocidit".

“Kurrë më. Kurrë Kosova nuk do të jetë një viktimë e pambrojtur e gjenocidit, kurrë më nuk do të ketë destruksion, kurrë më nuk do të ketë gjenocid, ne kurrë më, bashkë me partnerët tanë, nuk do të qëndrojmë të pambrojtur. Ne do ta mbrojmë vendin tonë kundër këtij agresioni.” – tha ajo.

Po ashtu, ministrja e Qeverisë së Kosovës u shpreh se “ata që janë përgjegjës për gjenocid, jaën ende në pushtet ne Serbi”.

Ajo e ka cilësuar Daçiqin si dorë të djathtë të kriminelit serb, Slobodan Millosheviq.

“Ata që janë përgjegjës për gjenocid janë ende në pushtet në Serbi. Vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit. Daçiq, është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive, përdhunime, dhe duhet të sillet para drejtësisë për krime lufte. Nga 1999 deri 2000 ishte dora e djathtë e Millosheviqit, e duartrokiti si hero dhe ishte pasardhësi i tij. Dhe ja sot e kemi para. Ne negociojmë me to sepse jemi për paqe. E dimë që ka një Serbi tjetër, por që ende është e dobët. Po presim atë Serbi. Shpresojmë që ajo të vijë sa më shpejtë.” – tha ajo.

Gati krejt në fund të fjalimit të saj, Gërvalla para të pranishmëve deklaroi në tri gjuhë - anglisht, shqip dhe serbisht – se homologu i saj serb, Ivica Daçiq, është kriminel lufte.

“Daçiq është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive, përdhunim, dhe duhet të sillet para drejtësisë për krime lufte.” – u shpreh ministrja.

Ndërkohë, pasi Gërvalla përfundoi fjalinë e saj, kryesiu rus pretendoi se nuk ia ka mohuar kërkesën që ajo të deklarohet në gjuhën shqipe.

"Dua ta mohoj pohimin e saj se Presidenca nuk e lejoi të flasë shqip në Këshillin e Sigurimit. Neve na informuan që ju ishit të përgatitur për të folur anglisht. Nëse ju zonja Gërvalla do të kishit ngulur këmbë absolutisht që të flisni në shqip dhe ka një precent të tilë. Ne do të kishim bërë që kjo gjë të lejohej.” – tha ai, derisa seanca po vazhdon edhe më tej.

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: Putini po çon trupa në Kosovë si në 1999

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka folur për trupat e grupit “Wagner” në Kosovë.

Ajo tha se presidenti rus, Vladimir Putin, si në vitin 1999 që ka çuar trupa në Prishtinë, këtë po e vazhdon edhe sot, teksa shtoi se pa prezencën e NATO-së në Kosovë do të kishte luftë.

“Në vend të sanksioneve ndaj agresorit, Rusisë, Serbia në mënyrë aktive e vë veten në dispozicion si inkupator për bizneset ruse. Prandaj, Serbia mbështet luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ajo para OKB-së s’ka vlerë sepse i ka ndihmuar Rusisë që në mënyrë barbare ta shkatërrojë Ukrainën”, tha Gërvalla.

Tutje, ajo tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, kanë qenë mbështetës entuziastë të një lufte të tmerrshme të Rusisë në Ukrainë.

Gërvalla në OKB: Nuk mu lejua të flas në gjuhën shqipe, ndërsa Daçiqi foli në gjuhën e tij

Ministrja e MPJ-së me të marrë fjalën në Këshillin e Sigurimit ka thënë se asaj nuk iu lejua të flas në gjuhën shqipe.

Gërvalla tha se Ministrit të Jashtëm Serb, Ivica Daçiq iu lejua të flas në gjuhën e tij, ndërsa asaj jo, edhe pse e kishte bërë kërkesën.

Ajo tha se me që nuk iu lejua, ajo vendosi të flas në gjuhën angleze.

“Edhe unë bëra kërkesë që të flasë në gjuhën shqipe, por diçka e tillë nuk m’u aprovua. Megjithatë do të vazhdojë të flasë në gjuhën angleze”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla në OKB: Kur Kosova premton diçka e mban fjalën, ADN-ja e Vuçiqit dhe Daçiqit e bënë të pamundur që edhe ata të veprojnë njësoj

Ministrja e MPJ-së, Donika Gërvalla sapo ka marrë fjalën në Këshillin e Sigurimit, ka thënë se Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq iu lejua të fliste në gjuhën serbe, ndërsa vetë asaj jo, kështu që siç tha ajo zgjodhi të fliste në gjuhën angleze.

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit ka thënë se si shtet Kosova po bënë përkushtim dhe punë të jashtëzakonshme për paqe dhe stabilitet, por UNMIK nuk po i kontribuon paqes në rajon.

“Sa i përket raportit të UNMIKUT, mund të themi se më shume se 90 pika, ka gabime të vogla dhe të mesme në raport, ka gjëra që mungojnë. Boshllëqet, problemet në K|osovë nga UNMIKU janë gjëra të njohura. Ne jemi duke bërë përkushtim dhe punë të jashtëzakonshme për paqe dhe stabilitet, por UNMIKU nuk po i kontribon paqes dhe stabilitetit ne rajon, prandaj kjo me shpie mua te çështja e zhvillimeve te rendesihme per paqe”.

Ministrja e MPJ-së foli edhe për Procesin e Berlinit ku tha se është i rëndësishëm për regjionin, pasi siç tha ajo janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme.

Sipas Gërvallës, Vuçiq e Daçiq po e bllokojnë këtë proces, pasi propaganda e tyre po vazhdon.

Ajo tha se të gjithë tashmë e dijnë se kur Kosova premton diçka e mban fjalën dhe nuk zmbrapset, por që e njëjta nuk vlen për presidentin serb dhe ministrin e jashtëm serb.

“Procesi i Berlinit është më i rëndësishmi strategjik për regjionin. Janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në Berlin, siç ka qene njohja e leternjoftimeve reciproke, diplomave. Megjithatë shtetet të cilat Vuçiqi e Daçiqi kanë pasur ndikim janë duke bllokuar procesin. Propaganda e tyre vazhdon, është fakt i njohur ndërkombtar nga të gjithë, miq e jo miq, se kur Kosova premton diçka e mban fjalën, nuk jemi zbrapsur asnjëherë nga asnjë marrëveshje e nënshkruar, por kjo nuk vlen për Vuçiqin e Daçiqin. ADN-ja e tyre politike e bënë të pamundur ta mbajnë fjalën”, tha ajo.

Nis seanca në Këshill të Sigurimit, Gërvalla zë vend në sallë e shoqëruar nga Blerim Reka

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka nisur seanca për Kosovën.

Në sallë ka zënë vend edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla Schwarz bashkë me një prej këshilltarëve të saj dhe përfaqësuesin e Kosovës në New York, Blerim Reka.

Në këtë seancë do të raportojë Përfaqësuesja Special e Sekretarit Gjeneral, Caroline Ziadeh.

Rusia kishte bërë përpjekeje që të pengojë Kosovën që të përfaqësohet në këtë seancë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat