Analisti Sadri Ramabaja, ka folur për demokracinë në vendin tonë, të cilën e cilësoni si të brishtë këto vitet e fundit.
Ai kritikoi ashpër PDK-në për këtë gjë, duke kujtuar miqësinë që ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte me Erdoganin dhe Orbanin, ku tha si po rrëshqiste në autoritarizëm.
Sipas Ramabajës, edhe sot vërehen pasojat e atij sistemi udhëheqës, qe sipas tij ishte në themel i kalbur.
“Revolucioni demokratik i heshtur i 14 shkurtit 2021 e bëri kthesën e duhur në rrafshin politik e emocional, por frutet e tij, qytetarët e thjeshtë, ende nuk po i shijojnë sa e si duhet në asnjërin nga segmentet e shoqërisë sonë. Eshaloni i barikaduar i kapsve të shtetit është pozicionuar fort dhe po reziston ende, sidomos në segmentet e drejtësisë dhe në ndërmarrjet publike”, shkroi Ramabaja në Facebook, përcjell “Bota sot’.
Postimi i plotë
Demokracia jonë e brishtë për vite të tëra pas çlirimit, nuk kishte si të merrte jetë e të ecte në rrugën e duhur të prosperimit.
Partitë tona politike dhe sistemi politik që ato kishin ndërtuar, ishte në themel i kalbur. Shih për këtë, me ta marrë timonin PDK-ja, sistemi po rrëshqiste në terrenin e autoritarizmit. Nuk ishte krejt e rastësishme miqësia e ish kryeministrit tonë me sivëllain e tij turk T. Erdogan dhe me neofashistin hungarez V. Orban.
Pasojat e atij sistemi të prishur sot i ndjejmë gjithandej, në të gjitha poret e jetës: në sistemin shëndetësor, në atë të arsimit, në ekonomi, e mbi të gjitha në drejtësi.
Prandaj nuk ishte as e rastësishme dhe e paparitur edhe ndarja e shoqërisë në dy pjesë rigjide njëra kundër tjetrës, ku dy kampe të ngurtësuara po luftonin dhe vazhdojnë ta luftojnë ashpër njëra-tjetrën.
Revolucioni demokratik i heshtur i 14 shkurtit 2021 e bëri kthesën e duhur në rrafshin politik e emocional, por frutet e tij, qytetarët e thjeshtë, ende nuk po i shijojnë sa e si duhet në asnjërin nga segmentet e shoqërisë sonë. Eshaloni i barikaduar i kapsve të shtetit është pozicionuar fort dhe po reziston ende, sidomos në segmentet e drejtësisë dhe në ndërmarrjet publike.