​Përfundon dëshmia e dëshmitarit të pestë kundër Pjetër Shalës, këta e emra u përmendën gjatë intervistimit nga Prokuroria

Aktuale

​Përfundon dëshmia e dëshmitarit të pestë kundër Pjetër Shalës, këta e emra u përmendën gjatë intervistimit nga Prokuroria

Nga: N. Sh. Më: 1 maj 2023 Në ora: 06:21 Përditësuar në ora: 18:01 më 01.05.2023
Pjetër Shala

​Përfundon seanca, dëshmitari i pestë do të përgjigjet nesër në pyetjet e ekipit mbrojtës

Ka përfunduar intervistimi i prokurorisë për dëshmitarin e pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Pas përfundimit të intervistimit edhe nga ana e mbrojtjes së viktimave, të nesërmen do të përgjigjet në pyetjet e ekipit mbrojtës.

Dëshmitari që mban numrin 10, gjatë ditës ka folur për shtabin e logjistikës në Kukës, derisa ka pretenduar se Pjetër Shala ‘hynte e dilte pa pyetur askënd’. Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i janë bërë disa pyetje në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.

Prokurorja: Zotëri dëshmitar më herët përmendet se në bazën logjistike në Kukës, ishte i pranishëm Hafir Hoxha. A ishte edhe ai një nga komandatët aty?

Dëshmitari: Hafir Hoxha ka qenë komandant i policisë ushtarake i FARK-ut. Sabit Geci ka qenë komandant i policisë i Hashim Thaçit.

Prokurorja: Ndonjëri prej tyre, ose dytë Hafir Hoxha dhe Sabit Geci a kanë qenë të pranishëm në shtabin logjistik në Kukës, vetë?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: A e ke parë vet Sabit Gecin të ketë i pranishëm në muajin e pestë dhe të gjashtë të vitit 1999 në shtabin logjistik të Kukësit?

Dëshmitari: Po, e kam parë se ka ardhur prej spitalit të Lubjanës se ka qenë i plagosur”, është përgjigjur dëshmitari me numrin 10.

Prokurorja e ka pyetur dëshmitarin nëse e njeh, ish-ushtarin e UÇK-së, me emrin Bedri dhe cilat ishin detyrat e tij në shtabin e logjistikës në Kukës.

Tutje, dëshmitari ka treguar se si ka ikur nga ky shtab në drejtim të Kalimashit.

Prokurorja: Për sa kohë ke qëndruar në Kalimash?

Dëshmitari: Kam qëndruar pak ditë, nja dy javë a tri javë dhe kam shkuar pastaj në vijë të frontit.

Prokurorja: Pas këtyre dy-tre javëve nga aty ku shkuat pastaj?

Dëshmitari: Në vijë të frontit.

Prokurorja: Për sa kohë qëndruat në Pogaj në vijë të frantit?

Dëshmitari: Në Pogaj kemi qëndruar nja një javë ditë, kemi qëndruar”, pyetjet më pas të prokurores kanë vijuar me përmbajtje të redaktuar.

E derisa është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, dëshmitari me numrin 10 pretendonte se Pjetër Shala ‘hynte e dilte pa pyetur askënd’.

Mbrojtësi i viktimave: Si ushtar në UÇK, a merrnit urdhra nga komandantët, a ju jepnit komandantët urdhra si ushtar në UÇK?

Dëshmitari: Po.

Mbrojtja e viktimave: Dhe ju priteshit të respektoni këto urdhra, apo jo? Dua të ju pyes në qoftë se ka ndodhur kështu edhe me rastin e Pjetër Shalës?

Dëshmitari: Me Pjetër Shalën unë s’kam kurrfarë lidhje.

Mbrojtja e viktimave: A ke pasur ndonjëherë mundësi që të krijosh një opinion, mbi faktin në qoftë se ai vet i respektonte urdhrat që merrte nga komandantët?

Dëshmitari: Po tash, ai hynte dilte, kurrkënd se pyetke aty. Tash ai e din vet”, është përgjigjur dëshmitari i pestë.

Tutje, dëshmitari edhe në pyetjet e gjykatëses, Mappie Veldt-Foglia, tha se 'nuk ishte në dijeni nëse Pjetër Shala kishte leje për këtë'.

Veldt-Foglia: Çfarë doje të thoshe?

“Së pari thatë që ikte e dilte pa leje dhe pastaj thatë që nuk e dinit. Thjesht po ju jap mundësinë që të na shpjegoni se si qëndronte situata, çfarë doje të thoshe, të sqaroheni”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj seance, Pjetër Shala ka kërkuar që t’i lejohet kohë për konsultim me avokatët e tij. Seanca me dëgjimin e dëshmitarit nga ana e mbrojtjes do të vijojë ditën e nesërme.

Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Dëshmitari sqaron objektet e shtabit të logjistikës së UÇK-së në Kukës

Duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dëshmitari i pestë me radhë në rastin e Pjetër Shalës sqaroi dhe dha përshkrime për objektet e shtabit të logjistikës së UÇK-së në Kukës, përmes fotografive dhe skicës që ai kishte bërë gjatë intervistimit nga ZPS në 2019-ën.

Paraprakisht, dëshmitari tregoi se ishte kyçur në UÇK dhe nga dy ushtarë ishte dërguar në shtabin e Kukësit që ai e quante shtabi i logjistikës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në atë vend kishte qenë ushtarë i thjeshtë dhe kishte kryer detyrat e rojës, ku tha se këtë e kishin bërë me ndërrime me ushtarë të tjerë.

Ai sqaroi se kanë pasur vendin e caktuar për roje dhe tha se ky shtab kishte pasur tri ndërtesa.

Tutje, përmes skicës i cila nuk është paraqitur për publikun dhe fotografike po ashtu jo publike, dëshmitari identifikoi hyrjen (me numrin 5), nga ana e majtë identifikoi vendin ku bënin roje (me numrin 6), dhomën ku flinin ushtarët e thjeshtë dhe oficerët (me numër 4).

Lidhur me dhomat e fjetjes, ai tregoi se ushtarët flinin në katin e dytë, të gjithë në një dhomë, rreth 25-30 persona, kurse në katin e parë oficerët të cilët sipas tij, kishin dhoma të ndara të vogla.

Ai përmes fotografisë identifikoi edhe dritaret e zyrës së Sali Saramantit si dhe më pas magazinën apo deponë (me numrin 2) si dhe ndërtesën ku sipas dëshmitarit mbaheshin njerëzit për 2-3 orë për tu marr në pyetje (me numrin 1).

Për këtë, dëshmitari tha se ishin persona që dyshoheshin se i ka dërguar Serbia për informacione, të cilët tha se UÇK i merrnin në pyetje dhe i lëshonin.

Ndërkaq, në pyetjen se a kishin të drejtë këta persona me ik nga ajo ndërtesë vet, dëshmitari u përgjigj me ‘‘jo, jo s’ka shanca me ik’’.

Ai edhe përmes fotografisë identifikuar të ashtuquajturën ‘‘dhoma hetuese” ku sipas tij, njerëzit mbaheshin për tu marr në pyetje’.

Dëshmitari tha se kjo dhomë nga vendi ku ka bërë roje ka qenë rreth 15-20 metra larg dhe aty kishte shkuar dy herë dhe ajo s’mund të kishte qenë më e madhe se ‘‘5 me 4’’.

Sipas tij, kushtet nuk kanë qenë edhe në gjendje të keqe dhe se dyshemeja ka qenë me dërrasa.

​Fillon të dëgjohet dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës

Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të pestë i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Në Dhomat e Specializuara në Hagë, nën betim, përmes video-lidhjes dëshmitari që mban numrin 10, ka folur për rolin e tij gjatë kohës sa ka qenë ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dëshmitari ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë dhe ka bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Pjetër Shala po e ndjek këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është paraqitur një skicë e shtabit të logjistikës, e cila nuk është shfaqur për publikun. ZPS ka kërkuar tri orë kohë për të intervistuar këtë dëshmitar.

Prokurorja: Dëshmitar, keni qenë ndonjëherë anëtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Kur jeni kyçur në UÇK?

Dëshmitari: Në vitin 1998, jam kyçur në Kukës.

Prokurorja: A e mbani mend në ç ‘muaj ka qenë kur jeni kyçur në UÇK?

Dëshmitari: Ka qenë ose mars ose prill.

Prokurorja: A mund të na shpjegoni se si ndodhi?”. Kurse, pas kësaj pyetje, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.

Më tej, dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë në shtabin e logjistikës në Kukës.

Prokuroroja: Si shkuat në Kukës?

Dëshmitari: Me dy ushtarë kam shkuar.

Prokurorja: Ku të quan ata?

Dëshmitari: Në shtab të logjistikës në Kukës.

Prokurorja: Sa i takon kohës, a të kujtohet në qoftë se kjo ka ndodhur përpara apo pas bombardimeve të NATO-s?

Dëshmitari: Jo, ka qenë duke bombarduar.

Prokurorja: Në atë kohën kur u kyçet ju në UÇK, a e kuptova drejtë, që në atë kohë ndërkohë NATO vazhdonte me bombardime? Na thatë dhe i referohem këtu transkriptit të përkohshëm thatë që dy ushtarët të dërguan në shtabin e logjistikës, të Kukësit. A kishte një emër ky vend?

Dëshmitari: Sa e di unë vetëm shtab i logjistikës.

Prokurorja: Në çfarë njësiti të UÇK-së u kyçe ti?

Dëshmitari: Ushtar i thjeshtë”, ka vijuar dëshmitari në përgjigjet e tij.

Dëshmitari përmes video-lidhjes ka thënë se roli i tij në shtabin e logjistikës në Kukës ishte si ushtar i thjeshtë. Në pyetjet e prokurores për organizimin e ditës së tij, ka thënë se ai ka bërë roje.

Prokurorja: Çfarë detyrash kishte roja në shtabin e logjistikës në Kukës, çfarë bënte një roje në shtabin e përgjithshëm në Kukës?

Dëshmitari: Rujshëm, me ndërrime e kemi pasur.

Prokurorja: A kontrollonit ndonjë gjë konkrete ju si roje?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Çfarë kontrollonit si roje?

Dëshmitari: Kamionët vinin, njerëzit vinin u dashke me i verifikuar, me ua lyp letërnjoftimet.

Prokurorja: A vishnit uniformë, ishit i veshur me uniformë kur ishit roje?

Dëshmitari: Po”, ka thënë dëshmitari me numër 10.

Prokurorja e ka pyetur dëshmitarin edhe për pamjen e selisë së shtabit të logjistikës në Kukës.

Seanca me dëgjimin e dëshmitarit të pestë të mbrojtur po vazhdon. Derisa Pjetër Shala po e ndjek atë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas prokurorisë “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjykatësja i “bërtet” dëshmitarit: Po jep përgjigje të ndryshme nga pyetja që po të bëhet

Mappie Veldt-Folia, gjykatësja në çështjen ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili po akuzohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, i ka thënë dëshmitarit numër dhjetë të përgjigjet konkretisht në pyetjet e prokurorisë, e jo të jap përgjigje të tjera.

Veldt-Folia e ka pyetur dëshmitarin nëse ka ndonjë problem me përkthimin, ngase sipas saj, dëshmitari i cili është deklaruar si pjesëtar i UÇK-së, nuk po përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar për ambientet dhe organizimin e një burgu të improvizuar të UÇK-së.

“Po ta bëj këtë pyetje sepse ndonjëherë, në përgjigje në pyetjet që po ju bëhen, ti jep një përgjigje të ndryshme nga pyetja që të bëhet. Kështu që, mundohu të jepni përgjigje në pyetjen që ju bëhet. Ju lutem, dëgjoni me kujdes pyetjen dhe jepni përgjigje në pyetje”, tha gjykatësja.

Të hënën ka nisur dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i njohur si Komandant “Ujku”. Zyra e Prokurorisë së Specializuar, për ta intervistuar dëshmitarin, i ka kërkuar 3 orë kohë. Kjo dëshmi do të dëgjohet në tri seanca me nga 1 orë e 30 minuta kohë.

Prokurorët kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, që i konsideronin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për drejtimin e një burgu të improvizuar ku supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe një u vra, në nisje të gjykimit ndaj tij në Hagë, tha se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Në deklaratën e tij para trupit gjykues, ish-komandanti i UÇK-së, deklaroi se kishte luftuar kundër një makinerie ushtarake të një regjimi kriminal si ai i Sllobodan Millosheviç-it, por kurrë kundër civilëve.

Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge, ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021. Gjykimi ndaj tij filloi më 21 shkurt, ndërsa prokurorët e specializuar dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.

Ai ngarkohet për krimet që u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e UÇK-së.

Në Hagë sot po dëshmon ish-ushtari i UÇK-së, kundër Pjetër Shalës

Sot ka nisur dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë kundër Pjetër Shalës.

Për ta intervistuar dëshmitarin, Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 3 orë kohë. Gjykimi ndaj Shalës ka filluar në orën 09:30, ndërsa transmetimi do të nisë 45 minuta me vonesë.

Kjo dëshmi do të dëgjohet në tri seanca me nga 1 orë e 30 minuta kohë.

Pjetër Shala, i arrestuar më 16 mars 2021, po akuzohet për krime të kryera mes 17 majit 1999 dhe 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. Një pjesë e dëshmisë do të dëgjohet në seancë të mbyllur. Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sot vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Sot në Hagë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Seanca ndaj Pjetër Shalës pritet të nis nga ora 9:30 sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme tre dëshmitarë pritet të japin dëshmitë e tyre përmes video-lidhjes.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjatë javë së kaluar, Mbrojtja e Pjetër Shalës e ka dorëzuar dosjen paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. BS

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat