Profesori i Qendrës për Gjeopolitikë të Universitetit të Kembrixhit, Timothy Less, tregon se është skeptik për marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se marrëveshja e ofruar nga Bashkimi Evropian duket mjaft e keqe nga këndvështrimi i Serbisë.
Ai u pyet se si e sheh miratimin e nisjes së procedurës lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Less tha se është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të pavarësisë së Kosovës, sepse duket se Kosova do të pranohet në një organizatë ndërkombëtare që është e rezervuar për shtetet.
‘’Shqiptarët e shohin kundërshtimin e Serbisë në Këshillin e Evropës si dëshmi se Beogradi nuk është i përkushtuar ndaj marrëveshjes, dhe veçanërisht ndaj të drejtës së Kosovës për t'iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, duke i lënë të pyesin pse Kosova duhet t'i bëjë një lëshim Serbisë për çështjen e autonomisë së serbëve’’- tha Less.
Greqia bëri një lëshim dhe Sllovakia abstenoi, gjë që është e pazakontë, duke pasur parasysh se nuk e njohin Kosovën. Mendoni se po ndryshon mendimi i tyre për pavarësinë e Kosovës?- u pyet Less.
‘"Deri diku, po. Përderisa Greqia dhe Sllovakia më parë kundërshtuan pavarësinë e Kosovës, tani me sa duket janë më neutrale për këtë çështje. Prandaj, është një zhvillim domethënës dhe reflekton faktorë të ndryshëm: nevojën e tyre për marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe homologët e tyre evropianë, shqetësimin për ndikimin rus në Ballkan dhe pranimin se pavarësia e Kosovës nga Serbia është një fakt i kryer’’- tha ai.
Ai u pyet edhe në lidhje me zgjedhjet në veri, se nëse mendon se do të përsëriten këto zgjedhje apo jo.
Përgjigjja e tij ishte se mendon se për momentin jo, derisa serbët të pranojnë të marin pjesë në zgjedhje.
‘’Ndoshta jo, të paktën derisa serbët të pranojnë të marrin pjesë në procesin zgjedhor, i cili për momentin kërkon themelimin e Bashkimit të Komunave Serbe’’- tha Less.
Disa analistë vlerësojnë se Këshilli i Evropës dhe liberalizimi i vizave janë kalkulimi me të cilin BE dhe SHBA i kërkojnë Kurtit themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. A kanë të drejtë?
‘’ Nuk e di saktësisht se çfarë marrëveshjesh janë bërë në prapaskenë, por jam i sigurt se të gjitha këto probleme janë të lidhura’’- tha ai.
A është i mundur kompromisi në dialogun Beograd-Prishtinë, takimi i radhës është më 2 maj?
‘’ Unë jam skeptik. Por sigurisht që marrëveshja e BE-së duket gjithashtu shumë e keqe nga këndvështrimi i Serbisë. Pse do ta pranonte ajo humbjen e Kosovës kur ka pak përfitim të dukshëm? Ashtu si shqiptarët, edhe Serbia ka në dispozicion një alternativë që i përshtatet shumë më mirë - mbajtja e Kosovës në një gjendje konflikti të ngrirë, duke pritur një moment në të ardhmen kur të mund të nxjerrë kushte më të mira, përfshirë aneksimin e veriut dhe ndoshta një shkëmbim territoresh ndërmjet pjesës tjetër të Kosovës dhe Republikës Srpska’’- tha ai.