Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat thotë se që dy vjet ka ikje masive të punëtorëve nga Kosova.
Për parandalimin e kësaj ai thotë se do të duhej të ishte përpiluar një strategji nga të gjithë faktorët relevantë.
“Njerëzit kanë ikur edhe po ikin nga Shqipëria por megjithatë janë më të avancuar se ne, edhe kah paga minimale, edhe për kah siguria dhe shëndeti në punë, edhe çdo aspekt. Tani po themi që rastet e vdekjeve dhe siguria në punë është jashtëzakonisht shumë e tmerrshme dhe desha ta them edhe këtë, mos ta harroj: Gjithë kjo ikje, gjithë ky turr të dalim jashtë dhe ne, duke u nisur edhe nga unë, së bashku me institucionet tona mos të dalim me një strategji që të ndalemi aq sa mund të ndalim, kjo mua po më çudit dhe po më bën të dyshoj diçka. Së paku që dy vite kemi një ikje masive”, ka deklaruar Azemi.
Sipas Azemit nëse vazhdon ky trend Kosova në 2-3 vitet e ardhshme do të mbetet me punëtorë të moshës mbi 60-vjeçare.
“Trendi i përgjithshëm është shumë vërtetë por të gjitha vendet në rajon kanë një strategji, kanë një praktikë së paku të ndalet dhe mos ta marrim ne për shembull se ne jemi një vend i vogël me një numër shumë të vogël të punëtorëve dhe kjo është më e rënda. Ne për shembull për dy vite na kanë ikur 100 mijë punëtorë dhe nëse vazhdon ky trend faktikisht edhe 2-3 vite ne mbetemi me punëtorë të moshës mbi 60-vjeçare”, ka thënë Azemi.
Lidhur me mundësinë që në Kosovë mund të ketë punëtorë që kanë ardhur nga Azia, ai këto i ka quajtur ’propaganda’.
“Janë këto propaganda, përndryshe jo. Unë kam vizituar sepse kanë thënë që në shumë kompani kanë marrë njerëz të jashtëm. Unë në një kompani në Mitrovicë kam hasur në një punëtor që ka ardhur nga India sepse ishte një person profesionist për të cilin punëtori i mëhershëm kishte ikur dhe një bashkëpunëtor i tij nga Turqia sepse me ato makina të cilat i kishte importuar nga Turqia është dashur që ta ketë një profesionist. Përndryshe nuk kam takuar punëtorë. Ka punëtorë që kanë ardhur nga Shqipëria por megjithatë lëvizjet nga Shqipëria në Kosovë dhe nga Kosova në Shqipëri ne nuk i konsiderojmë si lëvizje të rrezikshme, ajo është lëvizje normale sepse megjithatë janë në tokën e tyre të dy palët”, ka deklaruar Azemi.
Azemi sa i përket sigurisë në punë, një pjesë të fajit ia lë si punëtorëve ashtu edhe inspektoratit.
“Dhe në anën tjetër Inspektorati i Punës i cili edhe nuk po e kryen por edhe nuk mund e kryen sepse ka një numër jashtëzakonisht shumë të vogël të inspektorëve. Por po e themi që mungon një diciplinë e përgjithshme edhe te punëtorët e kompanive, edhe te punëtorët, edhe te inspektorati dhe po vjen deri te kjo çka fatkeqësisht ne kemi numrin më të madh të punëtorëve që po na vdesin dhe në anën tjetër në moment kur këta vdesin na kaq mundemi me bo. Kemi kërkuar që një dekadë që ta kemi një fond që e menaxhon vet Qeveria dhe në moment kur vërtetohet që një punëtor ka humbur jetën në vendin e tyre të punës aksidentalisht, së paku të pamen ta kryejmë si i ka hije një personi”, tha ai.