Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia shënuan një hap pozitiv me miratimin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës si dhe me fillimin e negociatave për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa u shpreh i shqetësuar me situatën në veriun e Kosovës.
Zoti Borrell ndërmjetësoi të martën takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Të dy udhëheqësit miratuan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës ata zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Zoti Borrell tha ndërkaq se në bisedime u hodh “një hap simbolik drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Projekt statuti i Asociacionit është hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.
Zoti Borrell tha se ky është projekti i parë “që nuk është përfundimtar”, ndërsa pikëpamjet e palëve ishin tërësisht të kundërta, tha ai duke nënvizuar se palët u pajtuan të fillojnë bisedimet për themelimin e Asociacionit.
“U bëj thirrje palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të jenë gati për kompromis”, tha zoti Borrell.
Ai tha se është diskutuar edhe për situatën në terren duke shprehur sic tha shqetësimin për gjendjen në veriun e Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit për pushtetin komunal, që u bojkotuan nga votuesit serbë me kërkesën e Beogradit.
“Është e qartë se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Përkundrazi mund të cojnë në përshkallëzim dhe të pengojnë zbatimin e marrëveshjes”, për normalizimin e marrëdhënieve, tha zoti Borrell, duke u bërë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri, të cilat i braktisën në nëntor të vitit të kaluar mes tensionesh rreth përdorimit të targave të makinave.
“Për fat të keq ata nuk arritën asnjë marrëveshje për këtë çështje dhe kam frikë se mund të përballemi me situatë të keqe”, tha zoti Borrell.