Kurti thotë se ekipi menaxhues me koordinatoren serbe, sonte e dekomisionoi veten
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ekipi menaxhues sonte është dekomisionuar, me propozimin e draftstatutit, nga koordinatorja Danijela Vujiçiq.
Siç tha Kurti për këtë i ka dorëzuar edhe një dosje dëshmi përfaqësuesve të BE-së, edhe për shkak se ajo ndodhet në konflikt interesi, meqë ka dhënë edhe betim në Parlamentin e Serbisë.
”BE-së ua dhash edhe një dokument për të treguar se koordinatorja e ekipit menaxhues, Danijela Vujiçiq, në fakt ka dhënë betim në Parlamentin e Serbisë, dhe ajo ndodhet në konflikt të interesit”.
”Kam renditur disa fakte për koordinatoren e ekipit menaxhues. Por, ajo çfarë është e qartë sot është se me rastin e prezantimit të këtij draft-statuti, mund të thuhet se ekipi menaxhues është dekomisionuar, meqenëse nuk ka funksion, rol e as status më. E kanë dorëzuar draftin, unë ua thash në mënyrë të argumentuar, të arsyeshme, se është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetueshmërinë dhe rrjedhimisht është mirë që sa më parë, të fillojnë diskutimet mbi bazën e një draft vizioni vleror që kam propozuar unë sot”.
”Draftstatuti që propozoi ekipi menaxhues që sonte dekomisionoi veten me rastin e prezantimit të draftit, është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë. Qartazi, ekziston dëshira për Republika Srpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë draft statut”.
Borrell kritikoi zgjedhjet në veri, i reagon Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për zgjedhjet e 23 prillit të mbajtura në veri ku dalja ishte e ulët. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se kjo mund të prodhojë më shumë krizë në të ardhmen.
Kurti tha se bojkotimi i zgjedhjeve dhe institucioneve nga Lista Serbe është gabim që nuk duhet ta paguajnë qytetarët.
“Natyrisht që mua nuk më vjen mirë që dalja në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e Kosovës ishte dalje e ulët. Mirëpo ciklet elektorale nuk janë vetëm të drejta për qytetarët por edhe shtetërore.
Ne i shtymë një herë zgjedhjet, nuk mundëm më. Kemi katër kryetarë atje. E kuptoj se nuk janë kryetarë në kuptimin e plotë të fjalës, por kemi legalitet atje. Qytetarët nuk mund të mos kenë kryetar të komunës. Do të dëshiroja që të ketë rrethana të tjera e të mos kemi dalje të ulët, por kjo vjen si pasojë e braktisjes së Listës Serbe me urdhra të Beogradit. Me fjalë të tjera, LS ka gabuar, por nuk mund ta paguajnë këtë gabim qytetarët e Kosovës. Është dashur të marrin hapa tjerë e të mos bojkotojnë. Sido që të jetë, kemi kryetarët. Kam dhënë instruksione që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi pas këtyre zgjedhjeve dhe të ketë gjithpërfshirje”, tha ai.
Flet Kurti pas takimit, tregon çka ndodhi me draftin për statutin e Asociacionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të propozuar nga pala serbe.
“Ekipi Menaxhues prezantoi një draft statut në gjithsej 67 nene. Një draft statut i tillë çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën dhe përkundër kësaj, ne do të jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Kurti përpara mediave.
“Unë propozova një draft-vizion, përkitazi me nenin 7 dhe 10 të marrëveshjes bazë. Besoj që ajo do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit, sepse në atë mënyrë do të ndërtojmë diçka të drejtë”, vijoi më tej ai.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se ua ka dorëzuar ndërmjetësve evropianë edhe një dokument ku, sipas tij, dëshmon se Serbia ka shkelur 8 nga 11 pikat e Marrëveshjes së Ohrit që nga arritja e ujdisë.
Kurti i ka dorëzuar Borrellit e Lajçakut dosje me 8 nenet që Serbia i shkeli nga marrëveshja
Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit të sotëm në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka pranuar se është miratuar Deklarata për Personat e Zhdukur, teksa pohoi se tek përfaqësuesit e BE-së, ka dorëzuar edhe një dokument, ku rëndit shkeljet e 8 nga 11 nenet e marrëveshjes së 27 shkurtit.
”Më duhet të theksoj që dorëzova tek ndërmjetësit një dokument, mbi atë sesi nga 27 shkurti, Beogradi zyrtar e ka shkelur marrëveshjen”.
”Nga 11 nene të marrëveshjes bazë, 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar”.