Kosova dhe Serbia sot janë takuar në Bruksel për të vazhduar dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Takimin e udhëhoqi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i shoqëruar nga emisari i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.
E përpos pajtimit mes Kurtit e Vuçiqit për Deklaratën për Personat e Zhdukur në luftë, dakordim tjetër nuk pati.
Këtë e konfirmoi edhe Borrelli në konferencën për media, duke thënë se palët ende ishin larg përafrimit të qëndrimeve për sa i përket Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pak progres në bisedimet e liderëve të Kosovës dhe Serbisë të mbështetura nga BE-ja”.
Është ky titulli i agjencisë së lajmeve AP, tekst i cili është përcjellë edhe nga media tjera të mëdha.
“Kosova dhe Serbia pajtohen për të ndihmuar në gjetjen e të zhdukurve nga lufta”, thotë BBC-ja në titullin e tekstit që ia kushton dialogut të sotëm në Bruksel.
Edhe mediat tjera të huaja, në gjuhë të ndryshme, kanë raportuar për këtë takim të radhës mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, duke e përmendur kryesisht dakordimin për Deklaratën për Personat e Zhdukur në luftën e Kosovës.