“Kriza në Kosovë nuk do të zgjidhet shpejt, do të vazhdojë për një kohë të gjatë”.
Kështu ka deklaruar Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.
Ai tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po blejnë kohë.
“Gjëja më e rëndësishme për mbijetesën e paqes së paqëndrueshme është zgjidhja e problemeve të paraushtarakëve, krimit, lirisë së lëvizjes dhe lëvizjeve të njëanshme”, tha Janjiq.
Janjiq shtoi se është e nevojshme që në Kosovë të zhvillohen zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, për të normalizuar situatën.
Analisti politik foli edhe rreth zhvillimeve nga rundi i ri i dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Ai tha se pavarësisht deklarimeve të Borrellit se ishte bërë një hap i madh drejt formimit të Asociacionit, gjërat nuk shkuan mirë.
“U prezantua udhërrëfyesi për kthimin e serbëve në institucione. Siç kemi dëgjuar nga presidenti Vuçiq, nuk është arritur marrëveshje për këtë, por ai është i gatshëm të ulet sërish me Kurtin pas tre-katër ditësh dhe të bisedojë. Por le të jemi të drejtpërdrejtë – po flasim se si të dalim nga vakuumi institucional dhe i sigurisë që u krijua kur Lista Serbe u largua nga institucionet”, tha Dushan Janiq.
Janjiq tha se derisa po vazhdojnë bisedimet për kthimin e serbëve në institucionet gjyqësore dhe politike, po ndërrohen flamujt në stacione policore dhe po hapet ura.
“Hapja e urës ndërmjet Mitrovicës veriore dhe jugore ishte planifikuar edhe më parë, por nuk ishte koha e duhur. Ka një kuptim më simbolik dhe përkujtues të kohërave të tmerrshme”, tha Janjiq.
Ai komentoi edhe deklarimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është “kundër Kushtetutës së Kosovës”,analisti politik serb ka thënë se kryeministri i Kosovës “po e sajon këtë”.
Analisti politik serb, Dushan Janjiq, u pyet rreth përfundimit të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit.
Janjiq me shkak u përgjigj:
“Kur kanë filluar negociatat i kam pasur flokë të zeza, ndërsa tani jam thinjur. Shpresoj që kjo mos të ndodh me ta”, tha ai.