Derisa Kosovës po vazhdon që t’i bëhet presion për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa senatorë po e kundërshtojnë ashpër një gjë të tillë.
Së fundi është publikuar një video ku shihet senatori Bob Menendez teksa i kërkon llogari Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, emisarit të SHBA-së për politikën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar rreth kërkesave që Kosova të formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Senatori Menendez ia rikutjon z. Escobar se i bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, asociacioni mund të prodhojë një “republika serbska” brenda Kosovës.
“Z. Escobar, unë e kuptoj se ju dhe homologët tuaj të Bashkimit Evropian së fundi i keni kërkuar Kosovës që të pranojë një Asociacion të Komunave serbe.
Përderisa ky koncept e ka bazën në marrëveshjen e vitit 2013 të arritur në Bruksel unë druaj se kjo mund të çojë në një “republika serbska” Brenda Kosovës. Për më tepër Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka gjetur konceptin e Asociacionit citoj: Jo plotësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës”, thotë Menendez.
Më tej ai pyet Ascobarit nëse shqetësohet se kjo gjë mund të prodhojë destabilizim të Kosovës, ndërsa ia kujton edhe faktin që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“A shqetësoheni se një Asociacion i tillë mund të prodhojë destabilizimin e Kosovës dhe ti heqë kompetencat e rezervuara për Pushtetin qendror?
Jam i shqetësuar se gjendja e bisedimeve apo mungesa e tyre ka të bëjë më shumë me ngurrimin e Serbisë për të njohur sovranitetin e Kosovës”, shprehet mes tjerash senatori amerikan.