Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një takim të përbashkët me kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se largimi nga vendi i qytetarëve është si pasojë e qeverisjes së paaftë.
“Duke u nisur nga vizitat që kam bërë gjithandej nëpër Kosovë, si dhe nga takimet e përditshme që kanë kryetarët e Degëve të PDK-së më bashkëqytetarët e tyre, ndamë shqetësimin e përbashkët për rritjen enorme të numrit të qytetarëve që po largohen nga Kosova për shkak të qeverisjes së paaftë të nivelit qendror e cila nuk po mbështetë projektet e komunave si dhe nuk po realizon asnjë nga premtimet e shumta që kishte dhënë para qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij në Facebook.
Sipas Krasniqit Kosova nuk mund të bëjë hapa përpara pa kapacitetet dhe energjinë e rinisë.
"Për fat të keq, shifrat tregojnë që janë të rinjtë ata të cilët në masë të madhe e kanë humbur shpresën se mund ta zhvillojnë potencialin e tyre duke jetuar këtu.
Por, Kosova nuk do të mund të bëjë hapa përpara pa kapacitetet dhe energjinë e rinisë, e cila është motori i zhvillimit dhe avancimit të shtetit tonë. Është obligim i secilit prej nesh që të angazhohemi në këtë drejtim për ta rikthyer besimin te mundësitë që ofron vendi ynë.
Andaj, në këtë takim u dakorduam edhe për nevojën e zgjerimit të komunikimit me të gjithë qytetarët, pa dallim, kudo nëpër Kosovë, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat që ata kanë, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre.
Së bashku mund ta ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona – një vend me mirëqenie të lartë dhe cilësore, një vend ku secili qytetar jeton dhe trajtohet dinjitetshëm.
Besoni në Kosovë", ka shkruar ai.