Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, tha se kryeministri Kurti është duke i qëndruar prapa deklaratave të tij se nuk do të lejojë të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Gjendemi në një situatë të pakëndshme për shtetin tonë të trashëguar prej qeverive të kaluara.
Kryeministri Kurti, atë që e ka thënë po i qëndron prapa saj se çfarëdo qoftë organizimi që kërkon Serbia me ndodh brenda në Kosovë për pakicën kombëtare serbe, nuk ka me pas Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe s’do të jetë një etnik”, tha Korenica.
Analisti Artan Behrami, tha se Kosova dhe Serbia kurrë nuk kanë pasur brum më shumë për ta nisur një luftë njëra me tjetrën.
Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar se ky i fundit pret përafrim mes Kosovës dhe Serbisë në një takim të ardhshëm që mund të ndodh brenda dy javësh, Behrami tha se pas takimit të Brukselit, nuk pret shumë që palët të kenë progres në këtë drejtim.
“Pas takimit të Brukselit, nuk shoh ndonjë shpresë të madhe që palët munden me u përafrua. Kosova dhe Serbia kurrë nuk kanë pasur brum më shumë se sa me e nis një luftë njëra me tjetrën, nëse i sheh pozicionet e tyre. Dhe prej këtij pozicioni, me i përafru palët që me pasë një marrëveshje për Asociacion e për diçka tjetër, mendoj se është utopi”, tha Behrami.
Sipas tij, Serbia nuk është duke dashur Asociacion, por status-quo.
“Krejt marrëveshjet që janë bërë deri më sot mes Kurtit dhe Vuçiq, por edhe ato përpara, as nuk janë implementu, as nuk kanë pasur sukses, sepse strategjia dhe interesi serb është vetëm një, Vuçiqi nuk do Asociacion, ai do me ble kohë. Vuçiqi do status-quo dhe kryeministrit tonë iu kanë dashur dy vjet me e kuptuqë Serbia dhe Rusia duan status-quo”, tha Behrami.