Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka pasur kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili të martën bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit, nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas saj, Serbia nuk ka asnjë obligim juridik për reparacione ndaj të pagjeturve.
“Me 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, është baraz-vlerësuar. Kryeministri i Kosovës ka shpikur një term të ri, i cili nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konventën për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me dhunë, e që nuk njihet as si kategori juridike. Që i bie, për ta thjeshtësuar, asnjë obligim juridik Serbia nuk e ka në kuptimin e reparacionit dhe çështjeve të tjera që lidhen me kategorinë e të pagjeturve në Kosovë”, u shpreh ajo.
Ajo tha se do të dëshironte që shefi i qeverisë të ishte i pranishëm në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës. Sipas saj, Kurti ka mashtruar familjarët e të pagjeturve.
“Sot kisha dashur që zoti Kurti me qenë këtu dhe me kërku falje për dy mashtrimet që ia ka bërë komunitetit në Kosovë, nënave dhe familjarëve të pagjeturve”, tha Hoxha.