Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka pasur përplasje mes ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, lidhur me çështjen e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në vend dhe mënyrës se si është trajtuar kjo temë nga Qeveritë e kaluara.
Ka qenë ministri Murati ai i cili ka thënë se Qeveria paraprake, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së, ka nënshkruar marrëveshje në Washington, ku nuk përmendet as emri i shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka të drejtë morale të flasë për këtë çështje.
“Për t’ia rikujtuar në Washington çka ka nënshkruar Qeveria Hoti, është: të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Më poshtë thotë: do t’i koordinojmë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës. Domethënë as emri i shtetit nuk figuron në marrëveshje. Së paku emrin e shtetit është dashtë ta përmendni. A keni qenë ju i nderuar deputeti Selmanaj në atë kohë, a i keni lexuar çfarë po nënshkruani, a e keni pa çka po shkruan në atë tekst. Ju lutem, nuk keni të drejtë morale e as profesionale për të folur për këto tema”, ka theksuar Murati.
Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur deputeti Selmanaj, i cili ka thënë se ministri Murati nuk mund të arrijë atë që ka arritur partia e tij në Shtëpinë e Bardhë, edhe sikur t’i ketë tri jetë.
“Unë po provoj të diskutoj së paku me njerëzit që na shikojnë sepse vërtete nuk ia vlen me nivelin e tij. Në marrëveshjen e Washingtonit ti djalë i mirë, edhe tri jetë mi pas ti s’ke me mund me e mbërri çfarë kemi arritur në Shtëpi të Bardhë”, ka thënë ai.