Shefja e lartë e USAID-it, Samantha Power, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë këtë javë për t’u takuar me udhëheqësit e dy vendeve, ndërsa liderët e SHBA-së dhe Evropës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet midis tyre.
Asociated Press raporton se vizita e Power po bëhet me “qëllim të uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Shefja e lartë e USAID-it pritet të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i inkurajuar të dyja palët të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Power do të jetë zyrtarja e parë e lartë e qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis krerëve të dy qeverive javën e kaluar në Bruksel, duke i inkurajuar ata që të kthehen në dialog paqësor.
BE-ja ka shpenzuar 12 vjet në lehtësimin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.
Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ndërhyjnë për të qetësuar tensionet midis dy kryeqyteteve, më shumë në vitin e kaluar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.
Power gjithashtu do të takohet në Serbi dhe Kosovë me anëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesesh, gazetarë dhe të tjerë, duke përfshirë ish-lojtarin serb të NBA, Vlade Divac dhe atletë me aftësi të kufizuara.