Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami vlerëson se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është dashur të ketë informacion lidhur me shkaqet pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka dënuar Korporatën Energjetike të Kosovës me 3.2 milionë euro.
Këto deklarata i tha Bajrami në Info Nata pasi Rizvanolli gjatë ditës tha se nuk ka informata për këtë arsyet e këtij dënimi.
“Sot i pamë raportimet se ZRRE-ja e ka dënu KEK-un rreth 3.2 milionë. Ministrja është dashtur ta dijë pse. Nëse nuk e ka ditur është shumë keq. Unë konsideroj që për shkelje të tilla ZRRE apo KEK-u është dashtur që të raportojnë në njësinë e cila është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë. Është e pafalshme në qoftë se nuk e ka ditur”, tha Rizvanolli.
Duke folur për pasojat e mosfunksionimit të Bllokut A5, Bajrami tha se dëmet kanë qenë deri në 1 milion euro në ditë.
“Blloku A pikërisht për tenderët të cilët kryeshefi ekzekutiv gjendet në arrest, u vu në funksion. Blloku A për shkak të këtyre tenderëve që po dyshohet që janë korruptiv, ka qenë jashtë funksionit që 10 muaj. 770 mijë deri në 1 milion euro në ditë ka qenë kostoja e mosfunksionimit të Bllokut A. Dhe tani pas arrestimit të z.Krasniqi KEK-u arrin që brenda dy jave ta fusë në funksion Blloku A”, deklaroi ajo.
Tutje Bajrami ka thënë se arsyet pse KEK-u kishte mbi 100 milionë euro fitime, ishte rritja e çmimit të energjisë elektrike.
“E vetmja arsye pse KEK-u ka fitim është sepse nuk ka ba asnjë lloj investimi. Arsyeja tjetër, substanciale është që kemi pasur ngritje marramendëse të çmimit të energjisë elektrike. Si ka mundësi që KEK-u i ka mbi 100 milionë euro e Qeveria vetëm vitin e kaluar i ka shpenzuar reth 68 milionë euro energji elektrike për katër komunat veriore. Ai thjesht nuk mundet me u quajt rezultat financiar sepse po i bie që në kohën kur kemi importu energji elektrike shumë shtrenjtë, ne edhe paskemi pasë hapësirën me eksportu energji elektrike. Kjo vetëm sukses nuk mund të quhet”, tha ajo.