Von Cramon i propozon sot PE-së që të kërkojë nga Serbia ta heqë votën kundër Kosovës në KiE
Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon sot në Parlamentin Evropian ku do të diskutohet për raportin e Komisionit Evropian të vitit të kaluar për Kosovën, ka propozuar që në tekst të rezolutës, Serbia të heqë votën e saj kundër Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas Von Cramon një gjë e tillë bie ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
“Shpreh keqardhje që Kosova është aktualisht e vetmja demokraci europiane që nuk është ende anëtare e Këshillit të Europës; i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare; i bën thirrje Serbisë të heqë votën e saj bllokuese që e ndalon Kosovën të jetë anëtare e Këshillit të Europës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjë që përndryshe do të binte ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve; vë në pah se serbët e Kosovës do të përfitonin nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, pasi kjo do t’u lejonte serbëve të Kosovës të paraqesin ankesa për të drejtat e njeriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet mes tjerash në këtë raport që do të prezantojë Cramon.
Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.