Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se me 3 maj ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ekipi menaxhues ishte ngarkuar me përgjegjësinë e themelimit të Asociacionit, në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.
Kryeministri Albin Kurti për këtë ekip pati deklaruar se atij i kishte përfunduar misioni që kishte.
Media ka kontaktuar zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun i cili ka folur lidhur me këtë temë.
Kryeziu thotë se Kosova nuk mund të rrugëtojë bashkë më një ekip që propozimi i tij ka qenë i papranueshëm.
Ai tha se Ekipi Menaxhues ka pasur karakter teknik dhe tani në nivel politik është procesi.
“Ekipi menaxhues ka pasur karakter teknik, ndërkaq që tashmë procesi është në nivel politik. Ai është liruar nga detyra, meqenëse nuk ka më asnjë funksion. Propozimi i tyre për ne ka qenë fundamentalisht i papranueshëm. Si rezultat ne nuk kemi mundur dhe nuk mund të rrugëtojmë bashkë me ta drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjet Bazike, i cila duhet të jetë synimi kryesor”, u shpreh Kryeziu.
Kryeziu thotë se Kryeministri në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel ka paraqitur si propozim për Asociacionin modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare.
Zëdhënësi i Qeverisë tha se ky propozim përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë.
“Kryeministri Kurti ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike. Ne besojmë që propozimi i ynë mundëson që të ndërtojmë diçka të re, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë. Ai bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare. Kroacia është shtet anëtare e BE-së dhe NATO-s. Me Kroacinë ndajmë një të kaluar të përbashkët me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërkohë që si shtet aspirojmë të jemi anëtare edhe e BE-së edhe e NATO-s. Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj edhe besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, theksoi Kryeziu.
Draft-statuti për Asociacion i cili është publikuar në media thuhet se posedon 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.
Aty thuhet se Asociacioni do të jetë një formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit.