Parlamenti Evropian sot ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, me ç’rast një vendim të tillë e ka mirëpritur edhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate të lëshuar për medie, Qeveria ka theksuar se nga ky miratim bëhet forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse.
“Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL. Lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane dhe përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021. Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme”, thuhet në komunikatë.
Njëherit, thuhet se në zhvillim ekonomik u vlerësua pozitivisht përformanca e jashtëzakonshme e eksportit, rritja ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura.
“Në lidhje me procesin e dialogut, i bazuar në njohjen reciproke, Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive. Ndërkohë, dënon Serbinë për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet tutje në komunikatë.
Derisa në raport u evidentua dhe u mirëprit angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.