Inspektorati i Tregut ndalon së shituri 200 kositëse të barit me prejardhje nga Kina

Aktuale

Inspektorati i Tregut ndalon së shituri 200 kositëse të barit me prejardhje nga Kina

Më: 10 maj 2023 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Inspektorati i Tregut ka shtuar prezencën e inspektorëve në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

“Inspektorët kanë vendosur për ndalimin e importimit të 200 kositëseve të barit me rrymë me origjinë nga Kina, për shkak se të njëjtat nuk i kanë plotësuar kërkesat ligjore të sigurisë dhe si të tilla nuk mund të vendosen në treg për konsumatorët”, thuhet në njoftimin e MINT.

Gjithashtu MINT thotë se është ndaluar ekspozimi i cigareve elektronike, është bërë mbikëqyrja e tregtisë dhe cilësisë së naftës e vajrave motorike, është bërë verifikimi i produkteve për përmbushje të standardeve dhe të sigurisë etj.

Gjatë javës së kaluar Inspektorati ka kryer 55 kontrolle tek operatorët ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Me qëllim të analizimit të cilësisë së produkteve të naftës janë marrë 30 mostra për testim në laboratorët e akredituar. Verifikimi i peshës së bukës dhe sasisë së naftës, po ashtu kanë qenë në fokus të inspektorëve, që është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës,  që funksionin në kuadër të MINT”.

Inspektorët kanë vazhduar edhe me monitorimin e rregullt të çmimeve të produkteve të naftës nëpër pikat shitëse me pakicë.

“Inspektorati i Tregut do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe do të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin në treg”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat