Ministri Elbert Krasniqi ka thënë se zgjedhjet në veri janë punë e kryer dhe ka shtuar se nesër i ka ftuar në takim, kryetarët e rinj të katër komunave në veri të vendit.
Krasniqi ka bërë të ditur se temë diskutimi do të jetë koordinimi për datën e takimit të parë të asambleve të reja komunale.
“Ne kemi një proces zgjedhor të përfunduar në veri të Kosovës, rezultat të certifikuar edhe unë mund t’ju informoj që nesër i kam ftuar në takim në zyrë të katër kandidatët fitues të garës për zgjedhjet lokale në veri që me ta të koordinojmë datën e takimit të parë të asambleve komunale dhe hapjes së rrugës për kryetarët e rinj për dhënien e betimit. Do të koordinojmë procesin e organizimit të seancave të para”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se ministria e tij do të ofrojë mbështetjen në aspektin politik e të sigurisë për përbërjet e reja në komunat veriore.
“Ne do të diskutojmë mbi secilën specifikë. Kemi katër kuvende komunale. Dy nga ato do të jenë të nevojshme të konstituohen. Dy nga ato janë funksionale dhe ato vetëm do të organizojnë seancën për dhënien e betimit të kryetarit të zgjedhun. Nesër do të diskutojmë në detaje për secilën nga komunat dhe do t’i mbështesim si ministri e linjës me secilin aspekt administrativ, politik dhe të sigurisë për ato vende ku duhet të ketë ndikim tjetër”, ka thënë Krasniqi.