​AAK thërret në interpelancë Muratin: Ekonomia në gjendje të rëndë

Aktuale

​AAK thërret në interpelancë Muratin: Ekonomia në gjendje të rëndë

Më: 11 maj 2023 Në ora: 12:32
Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ftuar në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati, në lidhje me gjendjen e rënduar ekonomike në vend. Me këtë rast, do të paraqesin rezolutë ku kërkohet ngritja e koeficientit të pagave për sektorin publik nga 105 në 129 euro si dhe për alokimin e mjeteve për të zhbllokuar investimet kapitale.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se situata është shumë e rëndë dhe njerëzit po shtyhet që të lënë vendin për shkak se nuk po ia dalin të sigurojnë jetesën në Kosovë.

Tahiri: Problem thelbësor është gjendja ekonomike

“Për Aleancën, grupin tonë parlamentar, problem thelbësor, funksional, problemi më i rëndësishëm dhe më serioz është gjendja ekonomike në vend, humbja e shpresës që në këtë vend mund të jetojë dikush me të hyra që i ka, dhe kjo për neve është rrezik, kjo është... Nuk janë duke ikur njerëzit vetëm se janë të papunë, rreziku më i madh janë duke ikur njerëzit që janë në punë, njerëzit që e kanë një vend pune, ne institucione, në komuna, ministri, ata janë njerëz janë duke e kërkuar një zgjidhje tjetër, jo vetëm të papunët, por edhe që janë në punë e s'po flas të rinjtë për të cilët nuk ka asnjë elementë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se ndërhyrja e Qeverisë së Kosovës në strukturën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore ka qenë shumë e dëmshme për rrjedhën dhe zhvillimin e vendit e në veçanti në ekonominë e vendit.

Tahiri: Edhe ata që janë në punë e kanë të vështirë jetesën

“Ngritja e çmimit të tatimit në pronë, ngritja e çmimit të rrymës, inflacioni i madh në vend e ka bërë jetën gati sa të pamundshme, jo vetëm për ata që janë të papunë, por mbi të gjitha për ata që janë në punë. Gjendja e rëndë socio-ekonomike ka krijuar një inflacion të madh, rritje çmimeve të konsumit, shtrenjtim të rrymës dhe shtrenjtimit të çdo artikulli jetësor duke përfshirë edhe vet tatimin në pronë... Kjo situatë, ky dëshpërim, kjo humbje e shpresës vjen drejtpërdrejt prej keqqeverisjes, prej qeverisjes pa vizion, prej qeverisjes e cila veç flet, veç i rreh tupanit, dhe nuk bën asnjë veprim i cili do ta ndihmonte jetën e qytetarëve”, vijoi Tahiri.

Tahiri tha se ekonomia është buzë kolapsit ndërsa përmendi mungesën e investimeve kapitale, duke kujtuar se mjetet janë të popullit të Kosovës dhe jo të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tahiri: 500 milionët për investime kapitale nuk janë të Vetëvendosjes

“Ku ka logjikë që për dy vjet qeverisje më e u blloku rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale. Ato investime kapitale, këto 500 milionë euro nuk janë të qeverisë, nuk janë të Vetëvendosjes, janë të popullit të Kosovës për të hyrë në projekte kapitale. Asnjë projekt kapital nuk është nisur. E ke të bllokuar rrugën për Pejë, e ke të bllokuar rrugën për Gjakovë, e ke të bllokuar rrugën për Gjilan, e ke të bllokuar rrugën për Podujevë. Asnjë investim për dy vjet e gjysmë”, tha Tahiri.

Tahiri bëri të qartë edhe dy kërkesat që do të vijnë me rezolutën e Aleancës në interpelancën me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Tahiri: Rishikim i buxhetit për të rritur koeficientin dhe për të zhbllokuar investimet

“Ne duam që të ndodhë rishikimi buxhetor sa më shpejtë dhe në këtë rishikim buxhetor fillimisht për zyrtarët publikë të rritet vlera e koeficientit në vlerën që ne e kemi propozuar, se në ligj të buxhetit, koeficienti është njëri ndër nenet, e ai koeficient mund të rritet me votim të parlamentit, pra që koeficienti të shkojë në 129 euro. Çështja tjetër në rishikim buxhetor kërkojmë alokimin e mjeteve dhe që të shkojnë përpara investimet kapitale sepse është bllokuar Kosova. Nëse nuk ndodhin këto adresa e dështimit dihet ku është, por problemi dëmi po bëhet shumë i madh”, tha Tahiri.

Tahiri tha se Kurti është duke keqpërdorur besimin e qytetarëve të cilët e besuan se mund të sjellë shpresë por situata është përkeqësuar. Ai kritikoi edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi që tha se ikja e të rinjve është normale, duke thënë se nuk qëndron kjo, pasi normale ka qenë largimi në kohën e okupimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat