Kurti priti në takim Nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet e Paqes të Kombeve të Bashkuara

Aktuale

Kurti priti në takim Nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet e Paqes të Kombeve të Bashkuara

Më: 11 maj 2023 Në ora: 18:33
Jean-Pierre Lacroix dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar pasditen e sotme me Nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet e Paqes të Kombeve të Bashkuara, Jean-Pierre Lacroix.

Kjo ishte vizita e parë e Lacroix në vend.

Në njoftimine Qeverisë thuhet se Kurti e informoi Lacroix për arritjet e fundit në vend dhe shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e agjencive të OKB-së në Kosovë.

“Ai po ashtu foli për mënyrat se si Kosova po punon për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. Lidhur me këtë, z. Lacroix përgëzoi Kosovën për përpjekjet e fundit për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe të drejtave gjinore në vend, duke thënë se rezultatet janë të dukshme.

Lacroix tha se Kosova vazhdon ta ketë mbështetjen e plotë të OKB-së për të zhvilluar më tej këto synime demokratike”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat