Gjykimi i ​Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në seancë të mbyllur, dëgjohet dëshmitari i katërt

Aktuale

Gjykimi i ​Thaçit dhe të tjerëve vazhdon në seancë të mbyllur, dëgjohet dëshmitari i katërt

Më: 15 maj 2023 Në ora: 09:03 Përditësuar në ora: 15:22 më 15.05.2023
Ish-krerët e UÇK-së

Mbrojtja e Thaçit përfundon pyetjet për dëshmitarin e katërt

 Mbrojtësi i ish-Presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe, ka përfunduar kundra-pyetjet për dëshmitarin e katërt me kodin 4748.

Dëshmitari i katërt, ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Kehoe më 12 maj dhe ka vazhduar gjatë ditës së sotme në sesion privat, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kurse, i njëjti do të fillojë të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Kadri Veselit, avokatit Ben Emmerson.

Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, sërish dëgjimi i dëshmitarit në seancë private

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po vazhdon edhe të hënën me dëgjimin e dëshmitarit të katërt me kodin 4748 në sesion privat.

Dëshmitari i katërt ka filluar të përgjigjet në kundra-pyetjet e palës mbrojtëse më 12 maj dhe është duke vazhduar të përgjigjet edhe sot, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi kurse Krasniqi është duke e përcjellur këtë seancë përmes video-lidhjes.

Kurse, më 11 maj kishin përfunduar pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për dëshmitarin e katërt në sesion privat, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

​Thaçi dhe të tjerët në seancë të mbyllur, dëgjohet dëshmitari i katërt

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të katërt të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 4748 ka filluar të merret në pyetje më 10 maj, ndërsa e gjithë dëshmia e tij ka vijuar në seancë private.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e tre dëshmitarëve të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Në Gjykatën Speciale sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas njoftimit të bërë për media, seanca pritet të fillojë në ora 09:00.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat