Pas Bislimit e Petkoviqit, edhe Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel

Aktuale

Pas Bislimit e Petkoviqit, edhe Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel

Më: 15 maj 2023 Në ora: 09:19 Përditësuar në ora: 21:08 më 15.05.2023
Mirosllav Lajçak, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq

Lajçaku deklarohet pas takimeve në Bruksel: Diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit trepalësh të mbajtur sot në Bruksel.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është diskutuar për mënyrat e zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit, derisa ka shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.

“Kam pritur sot në Bruksel kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq për në raund tjetër të bisedimeve në kuadër të Dialogut. Diskutuam rrugën para për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam të qartësojmë pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndryshe, në Bruksel është mbajtur sot rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Kosovën.

Bislimi: As që është dashtë të priten rezultatet sot

Ka përfunduar takimi i radhës në nivel të negociatorëve në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak.Menjëherë pas takimit trepalësh në Bruksel, është deklaruar kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, i cili në pyetjen e gazetarëve se a pati ndonjë marrëveshje, tha se as që është dashtë të pritet një gjë e tillë.

Bislimi tha se në takimin e sotëm është diskutuar për Marrëveshja e 27 shkurtit, Asociacioni dhe çështjet tjera  që lidhen me vizitën e Lajçakut në rajon.

“Nuk është dashtë të priten rezultatet sot. Ky takim ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë. Pra është diskutuar për gjithçka që ka të bëjë me Marrëveshjen e 27 shkurtit”, deklaroi Bislimi, sipas të cilit, situata në veri nuk ka qenë fare pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.

“Sekuentimi për ne ka qenë pjesë qendrore e takimit. Kemi pasur propozimet tona dhe vërejtjet tona...pala serbe ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtuar fare. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat i ka sjell Lajçak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë”, ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri kosovar po ashtu konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, emisari Lajçak ka dërguar në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Besnik Bislimi.

Ky i fundit tha se Mirosllav Lajçak, emisari i BE-së për bisedime, ka thënë se në është gabim teknik ajo që është thënë në facebook, që drafti i Asociacionit të jetë pikënisje e Asociacioni, “por akti i prezantimit të jetë pikënisje, ashtu siç ka thënë edhe pala kosovare”.

“Nga pala serbët kanë thënë se nuk iu intereson as Kushtetuta e Kosovës e as letra e Mogerinit (ish shefes së BE-së), por vetëm ajo që ka që thënë Isa Mustafa, ish kryeministri i Kosovës në vitin 2015”, tha Bislimi.

Petkoviq ankohet në Bislimin: Sjellje skandaloze

Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, është ankuar për qasjen e palës së Kosovës, në këtë raund të ri dialogu sot në Bruksel.

Petkoviq, po pretendon se sjellja e kryenegociatorit nga Kosova, Besnik Bislimit, ishte siç e quan ”skandaloze”.

‘’Nuk e di se si mund të vazhdojmë të flasim dhe të shkojmë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve nëse Prishtina nuk dëshiron të flasë për asgjë’’.

Ai tutje u ka thënë gazetarëve se Beogradi zyrtar ka shkuar në Bruksel i përgatitur, me ekspertë dhe një plan për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe të personave të zhdukur, pasi u dakordësua Deklarata për Personat e Zhdukur.

Përfundon takimi trepalësh në Bruksel

Ka përfunduar takimi i radhës në nivel të negociatorëve në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Ende nuk ka ndonjë deklarim nga palët nëse është arritur ndonjë progres në raundin e ri të dialogut, ku ishin ballë për ballë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, por në fokus pritet të ketë qenë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Sot në Bruksel kryenegociatorët diskutojnë për zbatim të marrëveshjes.

Sot pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.

Për këtë takim, dje për Bruksel, ka udhëtuar zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

Rreth takimit dhe procesit të dialogut, gjatë vizitës në dy shtetet, ditë më parë ka folur edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai ka konfirmuar Lajçak takimin e të krynegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqin.

Ndryshe në takimin e 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel, u miratua një deklaratë për personat e zhdukur, por jo edhe ajo për Asociacionin. 

Përfundojnë takimet dypalëshe në Bruksel

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të hënën në Bruksel, me takime të ndara të kryenegociatorëve të të dyja shteteve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Lajçak, ka zhvilluar një takim bilateral me delegacionin serb të kryesuar nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq. Më pas ai ka zhvilluar një takim dypalësh edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bisimi.

Pas takimeve të ndara, pritet të nisë edhe takimi i përbashkët.

Fokusi i takimeve është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.

Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit./REL

Nis takimi në mes të Petkoviqit dhe Lajçakut në Bruksel

Në Bruksel sot pak pas orës 09:00 ka filluar takimi ndërmjet drejtorit të Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Petkoviq dhe Lajçak u takuan në ndërtesën e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) përpara raundit të ri të dialogut midis negociatorëve kryesorë, shkruan Kosovo Online, përcjell Klankosova.tv

Lajçak të dielën shprehu pritjen se të dy kryenegociatorët do të jenë të gatshëm të bien dakord për hapat e ardhshëm konkretë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj.

Pritet që tema më e rëndësishme e takimeve në Bruksel të jetë formimi i Asociacionit të Komunave serbe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.

Dialogu vazhdon në Bruksel, ja cilat janë temat që do të bisedohen

Në Bruksel të hënën vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me takimin e kryenegociatorëve të të dyja shteteve. Fokusi i takimeve do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, fillimisht do të kenë takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, e më pas do të ketë takim të përbashkët.

Takimet janë paraparë të nisin në mëngjes, ndërkaq kohëzgjatja e tyre do të varet nga ecuria e diskutimeve.

Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por edhe të bisedohet për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, ka shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.

“Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.

Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel për rundin e ri të dialogut. Sipas ekzekutivit kosovar, takimi i së hënës do të ketë në fokus “zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes bazë dhe të Aneksit të zbatimit”.

Palët veçse kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Edhe BE-ja, sipas një zyrtari të lartë, është e mendimit që themelimi i Asociacionit është çështja kryesore që do të vendosë edhe fatin e tërë procesit dhe kjo çështje konsiderohet si prioriteti kryesor, edhe pse sipas Aneksit të marrëveshjes, të gjitha pikat formalisht duhet të kenë rëndësinë e njëjtë.

Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.

Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshjes për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat