Hoti për deklaratën për personat e pagjetur: Jemi në pritje të Brukselit për ta themeluar komisionin e përbashkët mbikëqyrës

Aktuale

Hoti për deklaratën për personat e pagjetur: Jemi në pritje të Brukselit për ta themeluar komisionin e përbashkët mbikëqyrës

Më: 16 maj 2023 Në ora: 19:30
Andin Hoti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, miratuan pikën e parë të rendit të ditës – Deklaratën për të Personat e Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Lidhur me këtë deklaratë, Andin Hoti thotë se janë në pritje të ftohen nga Brukseli për të themeluar komisionin.

“Sa më parë do të ishte me rëndësi për Kosovën dhe familjarët që presin me ankth për të vërtetën. Ne jemi të gatshëm dhe presim që Brukseli të na ftojë për themelimin e komisionit të përbashkët mbikëqyrës”, tregon Hoti.

Sipas tij, Serbia do ta zvarrisë edhe më shumë këtë çështje.

“Siç e thashë, Serbia ka tentuar vazhdimisht t’i ikë përgjegjësisë dhe jam i bindur se do të mundohet ta zvarrisë sa më shumë. Prandaj, zbatimi i marrëveshjes është i mundur vetëm me presionin e faktorëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë, sidomos të SHBA dhe BE-së”, shprehet ai.

Kurti dhe Vuçiq miratuan fillimisht deklaratën për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Në këtë Deklaratë thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat