Mbrojtja e Thaçit merr në pyetje dëshmitarin 5, gjatë dëshmisë përmendet edhe UNMIK-u

Aktuale

Mbrojtja e Thaçit merr në pyetje dëshmitarin 5, gjatë dëshmisë përmendet edhe UNMIK-u

Më: 18 maj 2023 Në ora: 08:52 Përditësuar në ora: 17:26 më 18.05.2023
Dëshmitari në seancë

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka përfunduar seanca në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në gjykatore ka dalë për të dytën ditë me radhë dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Ai ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private apo me përmbajtje të redaktuar, përjashtuar disa pjesë kur seanca është hapur për publikun.

Aty, dëshmitari i cili mban kodin 3165 ka deklaruar se i është bashkuar UÇK-së në korrik të vitit 1998.

Ai pretendon se disa persona i kishin marrë familjarët e tij, gjë të cilën dëshmitari e ka thënë në pjesën e seancës së hapur.

ZPS e ka përfunduar intervistimin e tij ndërsa ai ka filluar të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Të mërkurën, Trupi Gjykues ka urdhëruar palët që dorëzojnë parashtrimet e tyre jo më vonë se data 31 maj për të treguar hapat konkret që mund të ndermirën për të siguruar një shkallë më të lartë të publicitetit të këtij procesi gjyqësor.

“Seancat në DHSK janë publike përveçse kur Trupi Gjykues vendos të mbajë seancë të mbyllur ose të kalojë në seancë private në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave. Sipas rastit, Trupi Gjykues vendos që pjesë të procesit gjyqësor t’i mbajë në seanca private ose të mbyllura dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle.

Ai ka thënë se palët mund të kërkojnë që seanca të jetë private por vendimi i gjykatësit për miratim ose jo të kërkesës merret pas shqyrtimit të kujdesshëm.

Në Urdhrin mbi Zhvillimin e Gjykimit, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët bëri të qartë se ‘argumentet ligjore dhe paraqitja e provave nga palët dhe pjesëmarrësit do të bëhet në seanca të mbyllura ose private vetëm kur të jetë absolutisht e domosdoshme”, ka thënë ai.

Në këtë proces gjyqësor, të mërkurën ka filluar intervistimi i dëshmitarit të pestë të ZPS-së, ndërsa para tij kanë dëshmuar katër të tjerë, të gjithë nën masa mbrojtëse dhe në seanca të mbyllura për publikun.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të vazhdojë nga e hëna deri të mërkurën e javës së ardhshme.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

​Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

Herë në seancë të mbyllur, herë në private dhe e përcjellur me redaktime, është duke u dhënë dëshmia e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Pas përfundimit të intervistimit nga ana e Prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Avokati Albert Moskowitz e ka ballafaquar atë me një deklaratë të një personi(i koduar me numrin 3.

Derisa dëshmitari po fliste për një rast që bashkë me “numrin 3” e kishin parë një veturë në një anë të rrugës e cila sipas tij ishte e tipit Golf 3, mbrojtja e Thaçit e kujtoi një deklaratë të “numrit 3” dhënë për UNMIK-un, i cili kishte deklaruar se vetura ishte Fiat.

Avokati Moskowitz: Je në veturë me numrin 3, je rrugës dhe je nisur në drejtim të pozicionit D. Sa shpejt po vozitje në ato momente?

Dëshmitari: 100 kilometra në orë ma merr mendja nuk e kam kqyr kilometrazhen me një shpejtësi të madhe.

Avokati Moskowitz: Në një moment sheh një veturë të parkuar në anë të rrugës kështu?

Dëshmitari: Po

Avokati Moskowitz: Kur e pe këtë veturë po vozisje ende me shpejtësi të madhe?

Dëshmitari: Kur e kam pa veturën jam ndal, kur e kom pa veturën se shihet pak ma larg jam ndal me i bë pyetje nuk e kam ditë kush është në veturë në atë moment para se me e pa.

Dëshmitari ka thënë se nuk kujtohet se deri tek vetura tjetër a e shoqëroi “numri 3” apo jo.

Por sipas tij, ai ka folur me “numrin 4”, derisa u shpreh se “numrin 5” i cili sipas tij ndodhej në veturë nuk e kishte njohur atë kohë.

Sipas dëshmitarit, vetura që kishte parë ishte Golf3.

Avokati Moskowitz: Shkove vetëm apo shkove me numrin 3?

Dëshmitari: Vetë edhe i bëra pyetje numrit 4.

Avokati Moskowitz: Ishte vetëm kur iu afrove veturës

Dëshmitari: Nuk më kujtohet se a ka dal prej veturës tem numri 3, por unë personalisht kam fol me numrin 4. Dhe numrin 5 nuk e kam njoft si figurë dhe as nuk e kam njoft emrin deri vonë.

Avokati Moskowitz: A mund të na përshkruani veturën që ishte parkuar në anën e rrugës?

Dëshmitari: Ka qenë Golf 3, ngjyrë e kaltër e mshelt më shumë si në të zezë diçka.

Avokati Moskowitz: Kur e dallove për herë të parë se një nga personat në veturë ishte “katërta”?

Dëshmitari: E pash që është ai, ata e njifsha më herët.

Avokati Moskowitz: E kishe parë më përpara apo thjesht kishte dëgjuar për të?

Dëshmitar: Është në vend tem ka dajtë

Pas këtij diskutimi, avokati Albert Moskowitz ka thënë se “numri 3” i kishte thënë UNMIK-ut se vetura që e kishin parë nuk ishte e parkuar në rrugën që ishin duke lëvizur, dhe se e njëjta ishte e tipit Fiat.

Moskowitz: Personi numër 3 u kishte thonë UNMIK-ut se vetura ishte Fiat dhe Golf siç thotë dëshmitari

“Numri 3 u tha autoriteteve të UNMIK në një deklaratë të nënshkruar …..Thotë që vetura që ti pe në rrugë në anë të rrugës nuk ishte e parkuar, ishte duke ecur ishte në lëvizje, se ajo veturë ishte Fiat dhe jo Golf dhe se numri 3 erdhi me ty tek vetura që kishte mundësi të shikonte numrin 4 dhe se ai e përshkruan numrin 4 ishte i veshur jo me të zeza po me tesha kamuflazh”, ka thënë ai.

E pas kësaj pyetje nga mbrojtja e Thaçit seanca ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar dhe më pas e mbyllur për publikun.

Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Dëshmitari i pestë në Hagë pyetet për kohën kur u bë pjesë e UÇK-së

Dëshmitari i pestë në Hagë i cili po vazhdon dëshminë e tij ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ka deklaruar se u bë pjesë e UÇK-së në korrik të vitit 1998.

I pyetur nga mbrojtësi Hashim Thaçit, Albert Moskowitz, se a i ishte dhënë ndonjë mjet identifikimi për këtë siç e quajti ai anëtarësim, dëshmitari u përgjigj se jo.

Ai gjithashtu u pyet për uniformën, duke dhënë se e ka blerë vet.

“Unë jam bërë në ora 2 të natës atë natë, kurse të nesërmen i ka marrë shënimet komandanti që ka qenë aty. Nuk më kanë dhënë. Uniformën e kisha ble vet, s’ka pas në atë kohë, është dashtë me e ble dhe është dashur të blehet materiali kamufllazh dhe e kemi paguar për ta bërë veshje ushtarake. Në atë kohë blejshim copa dhe i qepshim. Armën e pata marrë nga një bashkëfshatar”, është shprehur Dëshmitari i pestë.

​Prokuroria përfundoi intervistimin e dëshmitarit të pestë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të pestë të mbrojtur, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë intervistimit, i cili ka filluar dje, vetëm një pjesë e dëshmisë është dëgjuar në seancë të hapur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin 3165 ka folur për një rast në të cilin pretendon se disa persona me maska i kishin marrë të afërmit.

Ai ka thënë se i kishte përcjellur ata persona derisa të njëjtit, sipas tij, kishin nxjerrë nga vetura të afërmit e tij.

Por dëshmitarit, babain e tij kishin vazhduar të ja mbanin brenda.

Dëshmitari: Dy të afërm i kanë zbritur nga makina, babin e kanë mbajtur

“Pasi e kam marr kerrin e kam marr edhe armën dhe i kam ly kerrit pas, që i kanë marr të afërmit e mi me maska. Edhe në dalje të fshatit i kishin zbrit dy të afërmit e mi nga makina edhe vetëm babën e kishin lënë brenda në makinë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, vendi për të cilin po flasin ishte nën kontroll të UCK-së.

Pas kësaj, prokurorja Deborah Mayer kërkoi që seanca të vazhdojë private

Dëshmitari 5 në Hagë: Kjo është biseda me prokurorinë

Ai dje ka deklaruar se anëtarë të UÇK-së ia kanë marrë familjarët e tij.

Në dëshminë e sotme dëshmitari 5 ka bërë të ditur se pasi i morën familjarët e tij, ai e mori armën dhe e mori veturën duke iu shkuar pas tyre.

Biseda e dëshmitarit me prokurorinë:

Prokurorja: Anëtarë të UÇK-së morën të afërmit tuaj. Ti shkove prapa tyre?

Dëshmitari 5: Po

Prokurorja: Pse

Dëshmitari 5: Me këqyr çka u bo pse i morën.

Prokurorja: Kur po i ndiqje mrapa, a pe ndonjë polic serb?

Dëshmitari 5: Nuk dëgjohet

Prokurorja: Forca serbe a pe gjë gjatë rrugës?

Dëshmitari 5: Nuk dëgjohet

Prokurorja: Pas pak erdhe tek një vend ku duhej të merrje vendim cilën rrugë të ndiqje.

Dëshmitari 5: Po.

Prokurorja: Pasi morën të afërmit tënd dhe ti more veturën, kur shkove deri në një vend dhe aty t’ desh të marrësh vendim për rrugën trup apo rrugën tjetër. A mund të na shpjegosh cka kishte në secilin drejtim?

Dëshmitari 5: Pasi e kam marrë kerrin, e kam marrë edhe armën edhe i kam hyp kerrit që i kanë marrë të afërmit e mi me maska. Me dalje të fshatit i kanë zbrit dy të afërmit e mi nga makina, edhe babën e kishin lanë mrena në makinë. Edhe këtyne..Seancë private

Prokurorja: Kush e kontrollonte atë anën që more ti?

Dëshmitari 5: Policia ishin nga fshati 8 kilometra larg. Ishte nën kontroll të UÇK-së.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, mbrojtja paraqet shqetësime lidhur me zhvillimin e seancave të mbyllura

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së enjtes, në gjykmin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, mbrojtja e të akuzuarve ka shfaqur disa shqetësime lidhur me zhvillimin e procedurave në seanca të mbyllura.

Këtë shqetësim, e ka paraqitur për palët, mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se për shkak të urdhrit të trupit gjykues të seancës së 17 majit për zhvillimin e procedurave për seanca private apo mbyllura, dëshirojnë të paraqesin disa vështirësi, duke thënë se të njëjtit kanë kundërshtuar të gjitha masat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe për masa mbrojtëse.

“Dua të tërheq vëmendjen që jo vetëm e kundërshtojmë, po kemi shqetësime praktike për ndjekjen e praktikës së ZPS-së’’, tha ai.

Sipas tij, ZPS ka mundësinë të dalin dhe të futen në seancë private sa herë që e shohin të nevojshme dhe për ta si mbrojtje paraqet vështirësi që të kalojnë sa në një pyetje në pyetjen tjetër.

Tutje, ai tha se kjo vështirësi do vlerësohet edhe për shkak se edhe dy dëshmitarët e tjerë me radhë kanë masa të mëdha mbrojtëse.

Sipas tij, kjo shkakton vështirësi që publiku të kuptojë se çfarë pyesin pasi që sipas Kehoe, procedura është shumë më e vështirë nga ana e tyre sesa nga ana e Prokurorisë.

Lidhur me këtë, është deklaruar edhe ZPS duke thënë se shqetësimet kryesore nuk vijnë nga ata, por nga frikësimi i dëshmitarëve dhe se kjo nuk është diçka që mund të parandalohet nga ta.

Sipas ZPS-së, Prokuroria ka rast që ka kërkuar që seanca të bëhet publike, por është kundërshtuar nga mbrojtja.

E që, avokati Kehoe reagoi duke thënë se ata nuk pajtohen me këtë qëndrim, pasi që të njëjtit këtë praktikë e kundërshtojnë me vite dhe shtoi se ‘‘ne duam t’i zhvillojmë në seancë të hapur’’.

Por, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se urdhri nuk është bërë për të fajësuar dikë, por që nëse kjo nuk arrihet nga palët, do të bëjnë vetë si trupi gjykues.

Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të pestë (me kodin 3165) në këtë çështje.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat