Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala thotë se VV-ja erdhi në pushtet me kartën e nacionalizmit.
Shala ka thënë se kjo Qeveri ka gabime të shumta e ndër to është edhe ajo e mos ndarjeve të çështjeve të jashtme e të bredshme dhe kjo është një mashtrim i madh për qytetarët.
“Gabimi i madh i kësaj Qeverie është mosndarja e çështjeve të jashtme dhe të brendshme dhe orvatjet e shumta. Kjo parti erdhi në pushtet me kartën e nacionalizmit, për bashkimin kombëtar, me flamurin kuq e zi e sot nuk e mbajnë asnjë, pra ky degradim është dëshpërues, dhe ky është një mashtrim nga ana e kësaj qeverie”, thotë Shala.
Deputeti i PDK-së thotë se Kurti erdhi në pushtet me premtimin se nuk ulet në bisedime me Vuçiqin dhe se në vend të projekteve ka realizuar vetëm skandale.
“Ai ka ardhë në pushtet me atë se nuk ulet të flas me Vuçiqin ndërsa sot të gjithë vëmendjen e ka në takimin dhe bisedimet me të. Sot nuk kemi asnjë punë të bërë nga kjo qeveri, asnjë projekt të realizur por vetëm skandale. Kjo është një situatë shumë shqetësuese”, thotë Shala.
Tutje ai thotë se nga kjo Qeveri pati vetëm rënie ekonomike dhe largim të qytetarëve.
“Sipas statistikave të Bankës Botërore përgjatë viteve 2010-2019 Kosova ka shënuar 4.6 përqind të ngritjes ekonomike ndërsa tani kemi vetëm rënie, tani kemi rritje vetëm të inflacionit prej 15 përqind. Asnjëherë në 20 vitet e fundit s’kemi parë një largim kaq masiv të qytetarëve nga vendi”, thotë ai.