SHBA publikisht mbështet Kosovën në dialogun me Serbinë, këto janë mesazhet e fuqishme që u dhanë në Senatin amerikan

Aktuale

SHBA publikisht mbështet Kosovën në dialogun me Serbinë, këto janë mesazhet e fuqishme që u dhanë në Senatin amerikan

Më: 18 maj 2023 Në ora: 17:16 Përditësuar në ora: 19:10 më 18.05.2023
Senati amerikan

Chollet dhe Escobar: Nuk do të ketë Republika Sërbska në Kosovë

Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë theksuar se nuk do të pranojnë krijimin e një “Republika Sërbska” në Kosovë.

Duke folur para anëtarëve të Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së në lidhje me situatën në Ballkanin Perëndimor, Chollet tha qëllimi i Asociacionit është që serbët në veri të Kosovës mos të jenë të varur dhe lidhur nga Serbia, por të fokusohen në arsimim, kujdes shëndetësor dhe të tjera në Kosovë.

Ai tha se ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë propozuar disa modele ku pakicat në BE kanë një shkallë të kontrollit lokal. Megjithatë, Chollet theksoi se lidershipi në Kosovë tani duhet të tregojë si mund të duket Asociacioni dhe të jetë i pranueshëm për ta.

Chollet: S’pranojmë asgjë si Republika Sërbska në Kosovë

“Asociacioni është një zotim ndërkombëtar që është futur në marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013. Në pikëpamjen tonë kjo është në pajtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe dëshirojmë që gjithë qytetarët e Kosovës të marrin të njëjtat shërbime. Qëllimi është që serbët në veriun e Kosovës mos të jenë të varur nga Beogradi, por të fokusohen në arsimim, kujdes shëndetësor, zhvillim ekonomik. Kemi qenë të qartë se nuk do të pranojmë dhe nuk e përkrahim asgjë që përngjan “Republika Sërbska” në çfarëdo mënyre. Bashkësia Evropiane ka përmendur më shumë se gjashtë shembuj brenda BE-së, si në Itali të Veriut, Zvicër, Finlandë në vende ku ka popullata pakicë që kanë një shkallë të kontrollit lokal. Zotëri Escobar dhe unë kemi dalë në medie kosovare se çka është ky asociacion dhe çka nuk është. Tani lidershipi në Kosovë e përdorin këtë argument për të treguar se si mund të duket Asociacioni dhe si do të ishte i pranueshëm për ta”, tha ai.

Përkitazi me këtë, u shpreh edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se modelet evropiane për Asociacionin nuk e shkelin sovranitetin apo kushtetutshmërinë e Kosovës.

Escobar: Ne duam të përdorim Asociacionin për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës

“E kemi thënë se Asociacioni është obligim i marrë nga Kosova me marrëveshjen e Brukselit. Por, e kemi përsëritur vazhdimisht se do ta ndihmojmë Kosovën që ta formojë atë sipas një modeli evropian e që nuk shkel sovranitetin apo Kushtetutën e saj apo funksionalitetin. Siç e shohim ne, Asociacioni është rrugë për katër komunat apo komuna tjera që duan t’i bashkohen, që të marrin shërbime komunale për popullatën shumicë serbe në gjuhën serbe. Ne duam të përdorim Asociacionin për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e të vendoset ajo pjesë brenda strukturës së Kosovës, të kontrollohet nga ligjet e Kosovës. Nuk e shoh si koncesion për Serbinë, por si mënyrë që Kosova të akomodojë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, e që janë qytetarë të Kosovës”, deklaroi ai.

Duke folur për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi të arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit të tij, Chollet tha se ka ngecje në implementimin e tyre, por shtoi se duhet guxim politik për zbatim të ujdisë.

Chollet: Duhet guxim politik për zbatim të marrëveshjes

“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Është ndër aleatët më të afërt dhe gjithmonë performon mbi madhësisë së saj. Ne e përkrahim integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe presim që Kosova të afrohet me NATO-n dhe BE-në dhe dikur edhe të bashkohet në këto institucione. Mirëpo, aspirata evropiane si të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë me ndodhur derisa t’i zgjidhin dallimet mes tyre. Për këtë ne e përkrahim dialogun që fasilitohet nga BE-ja....Duhet shumë punë, guxim politik e ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që t’i përmbushin zotimet. Përderisa ne përkrahim Kosovën, po ashtu duam t’i thellojmë raportet me Serbinë. Dëshiroj me theksuar se këtë e bëjmë me sy hapur, pasi Serbia ka sfida me korrupsion dhe të tjera”, tha ai.

Mirëpo, në anën tjetër, kryesuesi i Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së, Bob Menendez, tha se Kosovës vazhdimisht po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, nuk po bëhet fare presion.

Mendez: Shoh se shumica e presionit i bëhet Kosovës për Asociacionin

“Në shkurt u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë me ndihmën e Brukselit. Menjëherë pas kësaj presidenti Vuçiq bëri deklarata publike, duke mos u pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes dhe refuzoi ta nënshkruante, pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës...Me kontrollin e mediave dhe shtypjen e shoqërisë civile, Vuçiqi vazhdon të ndjekë narrativën e serbëve nacionalist, duke treguar për vizionin e ‘Serbisë së madhe’, ngjashëm si Putini për ‘Rusinë e madhe’. Ai se ka fshehur lidhjen me Putinin. Ka udhëtuar në Moskë për tregti, refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë. Duam të shohim nga dëshmitarët cili është plani për të ecur para. Shoh se shumica e presionit i bëhet Kosovës për Asociacionin, që e pranoj se Kosova e ka pranuar këtë marrëveshje më herët. Por, më duket se nuk ka fare presion ndaj Beogradit, apo plan apo garanci se Asociacioni s’do të jetë një Republika Sërpska tjetër. Po shoh pak presion ndaj liderit të cilin New York Times e portretizoi për lidhjet me botën e krimit të organizuar në Serbi”, tha ai.

SHBA, seancë për Ballkanin Perëndimor në Senat

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha sot në Senatin amerikan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është prioritet për adminitratën Biden.

Zoti Chollet foli përpara komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatin, i cili mbajti sot një seancë dëgjimore mbi angazhimin amerikan në Ballkan.

“Politika jonë bazohet në një parim të thjeshtë: një Evropë e tërë, e lirë, e begatë dhe në paqe është në interesin e sigurisë sonë kombëtare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një pjesë e munguar e enigmës".

Sfida më e ngutshme, tha Këshilltari i Departamentit të Shtetit, janë çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e plotës të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha zoti Chollet.

Por ai shtoi se aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përmbushen derisa të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.

Për zotin Chollet marrëveshja e Ohrit përcakton një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një veprim që ne i kemi kërkuar që ta ndërmarrë me shpejtësi, të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të ofrojë mbrojtje të fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”, tha ai.

Po kështu ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të njohin gjithashtu dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe se Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sipas zotit Chollet marrëveshja paraqet një përparim të rëndësishëm në tejkalimin e ciklit të krizave që ka karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve për një kohë të gjatë.duke shtuar se SHBA do të vazhdojmë të punojmë me të dyja palët në mënyrë që ato të përmbushin angazhimet e tyre reciproke.

Duke iu referuar Serbisë, zoti Chollet tha se SHBA është e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Serbinë, por e bën këtë duke i kushtuar një vëmendje të madhe asaj që mund të ndodhë. Serbia tha ai ka sfida të rëndësishme përpara duke filluar nga korrupsioni deri te ndikimi i dëmshëm rus, përfshirë dezinformimin.

“Historia jonë ka qenë e vështirë dhe marrëdhënia jonë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Megjithatë është në interesin tonë që të ndihmojë Serbinë të realizojë potencialin e saj të plotë dhe të afrohet më shumë me komunitetin euroatlantik.Për të qenë të qartë, progresi duhet fituar”.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Serbia duhet të përmbushë angazhimet për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive me të gjithë fqinjët e saj dhe demokraci të fortë dhe të qëndrueshme në vend për të arritur këtë vizion.

Gjatë fjalës së tij i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Ecobar tha se dështimi për të bërë përparim në drejtim të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi i ka dhënë mundësi Rusisë, të luajë një rol dëmtues, në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet për të çliruar potencialin e tyre të plotë dhe përparimin në rrugët e tyre drejt Evropës.

Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez, theksoi se thelbi i stabilitetit në Ballkan është zgjidhja përfundimtare e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shprehu kritika ndaj zyrtarëve amerikanë, duke thënë se i është krijuar përshtypja se Kosovës po i bëhet presion për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësi, që siç u shpreh Senatori, gazeta Nju Jork Times, e karakterizoi si një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të Senatorit Menedez se Asociacioni do të kthehej në një lloj "Republika Serbska" në Kosovë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Asociacioni do të krijohet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe i bazuar në modele evropiane që tashmë ekzistojnë./VOA

Chollet trondit Vuçiqin, thotë se ka të vërteta në raportimin e New York Times

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se beson që është i vërtetë raportimi Neë York Times e cila e lidh presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq krim të organizuar.

Chollet gjatë raportimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, i pyetur për këtë artikull nga senatori Bob Menendez nëse e beson si të vërtetë,

“Po besojmë se është. S’mund të flas për gjëra specifike, po ka shumë korrupsion atje”, tha ai.

I pyetur nga senatori Mendez nëse kjo mund ta bëjë Vuçiqin partnerë të rëndësishëm për ShBA-në, Chollet tha se “kjo është test ndoshta dhe po e bëjë më sy qelur”, duke shtuar se korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor është i përhapur dhe se kjo do ta pengojë rrugën drejt integrimit në BE”.

“Vuçiqin po e mbajmë përgjegjës dhe kolegët e tij për korrupsionin për sjelljet që po i bëjnë. Kemi vënë sanksione për shumë njerëz në krejt rajonin dhe e kemi bërë shumë të qartë se korrupsioni është kryesorja që e ndalon integrimin e rajonit në Evropë”, tha Chollet.

Revista javore e gazetës New York Times, ka botuar një artikull të gjatë, ku zbulon lidhje të pretenduara të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me botën e krimit në Serbi.

Chollet zbulon kushtin e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën me 5-shën mosnjohëse të BE-së

Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme, Bob Mendez e ka pyetur këshilltarin special të Antony Blinken rreth problematikës së pesë vendeve të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Derek Chollet ka thënë se janë angazhuar në mënyrë aktive lidhur me këtë çështje, derisa ka thënë se angazhimi i SHBA-së do të varet në mënyrë specifike nga arritja e marrëveshjes për normalizim me Serbinë dhe implementimi i saj. 

Ai thotë se këtë ia kanë bërë të qartë miqve nga Kosova.

“Kemi qenë në mënyrë të angazhuar për këtë cështje. Dhe e kemi bërë të qartë për miqtë kosovarë që do të vazhdojmë të jemi të angazhuar intensifikisht, vecanërisht nëse do të arrihet arrëveshjen për normalizim, e pajtuar dhe e implementuar”, ka thënë Chollet.

Escobar: Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin për ta zhbërë atë që Serbia po bën me Veriun e Kosovës

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në dëshminë e tij përpara Komitetit për Punë të Jashtme ka folur për shqetësimet e senatorit Bob Mendez rreth Asociacionit.

Escbar ka thënë se qëndrimi i SHBA-së është që Asociacioni është obligim ekzistues i Kosovës që e ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të Brukselit.

Ai gjithashtu ka thënë se SHBA e ka përsëritur që janë për një model që nuk shkel rregullat evropiane, Kushtetutën e Kosovës apo që  prish funksionalitetin e Kosovës.

“Qëndrimi ynë është që Asociacioni është obligim ligjor ekzistues. E kemi përsëritur që do të ndihmojmë Kosovën për një model që s’është kundër rregullave evropiane apo kundër Kushtetutës së Kosovës apo funksionalitetin”, ka thënë Escobar

Escobar thotë se Asociacionin e shohin si një rrugë përpara ku katër komunat (veriore), apo edhe komuna të tjerë mund të bashkohen për të ofruar shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit.

“Ajo sic e shohim ne është, që Asociacioni është një rrugë përpara që katër komunat, apo edhe ndonjë tjetër komunë që dëshiron të bashkohet, që të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit”, ka thënë Escobar.

Ai tutje ka thënë se duhan ta shfrytëzojnë Asociacionin për të hequr veriun nga ndikimi i Beogradit dhe nga ajo çfarë Vuçiq po bën sot me këto komuna.

“Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin që ta zhbëjmë atë që Serbia po e bën sot me veriun dhe që ta fusim brenda strukturës së Kosovës, që e kontrollon dhe që është nën ligjet e Kosovës”, ka thënë Escobar.

Chollet: Nuk po shohim zbatim të madh të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë

Në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, kanë nisur raportimin këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë fjalës së tij, Chollet deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej çështjeve më të rëndësishme në rajon.

Ai theksoi se për SHBA-në, pavarësisht se marrëveshja nuk është e nënshkruar, ajo është ligjërisht e obligueshme, por që sipas tij, nuk ka zbatim të madh nga asnjëra palë.

“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimet e Kosovës dhe Serbisë për Bashkim Evropian, nuk mund të ndodhin pa u normalizuar marrëdhëniet.

Escobar: SHBA mbetet e angazhuar që Kosova dhe Serbia të përmbushin detyrimet e Dialogut

Emisari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Aneksi i Implementimit në Ohër kanë qenë hapa të mëdhenj drejt paqes dhe në atë se si do të zhvillohet tutje raporti në mes të dy shteteve.

“ Siç vuri në dukje Këshilltari, një pengesë e madhe për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor është marrëdhënia e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e lehtësuar nga BE-ja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe aneksi i zbatimit të saj, të rënë dakord në shkurt dhe mars, ishin hapa të mëdhenj drejt vendosjes së paqes dhe parashikueshmërisë në marrëdhënie. Zbatimi është duke u zhvilluar. Më 2 maj, presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës filluan diskutimet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të zgjidhur fatin e Personave të Zhdukur për të nxitur pajtimin dhe paqen.”, ka thënë Escobar.

Ai ka përmendur udhëtimet e shpeshta në rajon në përkrahje të dialogut dhe ka theksuar se SHBA mbetet e angazhuar që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha detyrimet sipas marrëveshjeve të Dialogut.

“Unë kam udhëtuar vazhdimisht në Bruksel dhe në të gjithë rajonin për të mbështetur këtë proces. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara me Kosovën, Serbinë dhe partnerët tanë evropianë për të nxitur përmbushjen e të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjeve të Dialogut”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se ngecja e përparimit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka krijuar hapësirë për Rusinë që të luaj rolin e saj destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për një kohë të gjatë, dështimi për të bërë përparim e ka lejuar Rusinë të luajë një rol prishës kundër qëllimit strategjik të Serbisë për integrimin evropian — të cilin populli serb e dëshiron fort dhe ne e mbështesim fuqishëm. Si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet për të çliruar potencialin e tyre të plotë dhe përparimin në rrugët e tyre përkatëse në BE”, ka thënë Escobar.

Chollet: SHBA-ja përkrah Kosovën, kërkojmë guxim politik në raport me Serbinë

Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova ka përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aspiratat për integrim ndërkombëtar dhe pranimin në NATO e Bashkim Evropian.

Duke raportuar në Komitetin për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, Chollet ka thënë se për dialogun me Serbinë kërkohet guxim politik.

Kreu i Komitetit për Punë të Jashtme, Bob Mendez, ka folur për situatën në Ballkan Perëndimor dhe konkretisht procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Mendez ka thënë se mendon që palët s’janë duke vepruar në mënyrë të barabartë sa i përket ndërtimit të besimit në procesin e dialogut, duke përmendur këtu deklaratat destruktive të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel dhe planit të implementimit që u arrit në Ohër.

Menendez: Kosovës po i bëhet presion, por jo edhe Serbisë

Në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë, është duke u zhvilluar një seancë dëgjimore me temën “Vlerësimi i Politikës së ShBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i komisionit, Bob Menendez, ka thënë se derisa Kosovës po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit, Serbisë nuk po i bëhet presion.

“Nuk shoh se ka participantë të barabartë në këtë proces. Vuçiqi një gjë po e thotë para popullit serb dhe tjetër gjë po thotë para ndërkombëtarëve. Çka shoh unë është presion mbi Kosovën për formimin e Asociacionit, por nuk ka presion mbi Serbinë”.

“Nëse Serbia do që të integrohet në BE, duhet të shkëputet nga Putini”, theksoi Menendez. 

Senatori amerikan vjen me një paralajmërim befasues: S’ka garanci që Asociacioni nuk do të jetë një Republika Sërpska

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo të gjitha palët po dialogojnë në mirëbesim.

Gjatë një seance të këtij komiteti, ku do të raportojnë këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Menendez tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht është deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Senatori amerikan tha se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, duke shtuar se Vuçiq po vazhdon të përqafojë narrativë nacionaliste, sikurse ideja për “Serbinë e Madhe” , ashtu siç presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtyn përpara idenë për “Rusinë e Madhe”.

“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.

Chollet, gjatë fjalës hyrëse tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ato paraqesin sfidën kryesore në këtë rajon. Chollet përsëriti se rruga evropiane e të dyja shteteve nuk mund të ndodhë, nëse ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet vete.

Marrëveshja e Ohrit, sipas Chollet, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se SHBA-ja vazhdon t'i inkurajojë palët që t'i zbatojnë zotimet e tyre.

Një ditë para paraqitjes së tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Chollet zhvilloi biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me të dy zyrtarët, Chollet bisedoi për dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërsa porositi palët që të vazhdohet puna e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe duke kërkuar nga palët që t'i shmangin provokimet.

Chollet bisedon me Vuçiqin, kërkon shmangien e provokimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011. Ky proces, që gëzon mbështetjen e SHBA-së, synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të raporteve dhe më 18 mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Asociacioni është prioritet, teksa Escobar ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të nisë me Asociacionin.

Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, që u mbajt më 2 maj, Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit, ka paraqitur para palëve draftin e parë të statutit për themelimin e Asociacionit.

Ky draft është refuzuar nga pala kosovare.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat