Gjatë ditës së djeshme, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë dhe Lista Serbe reaguan ashpër pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut.
E këto reagime të përfaqësuesve serbë, i komentoi profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.
Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se këto erdhën pasi Chollet e konfirmoi se artikujt e New Times për bashkëpunimin e Vuçiq me bandat kriminale janë të sakta!
Pas deklaratës së Vuçiqit se nuk do e njohë Kosovën, profesori ua parashtroi nëj pyetje Escobarit e Hillit, transmeton “Bota sot”.
Postimi i plotë
Aleksandar Vuçiq ka folur në një kongres të partisë së tij për Kosovën dhe ka thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës në asnjë formë. Më tej ai thoshte se askush nuk mund t'ia imponojë Serbisë politikën e jashtme, për atë se kujt t'i vihen ose jo sanksione.
Ndërkohë po sot Sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë ka marrë vendimin që të mos përkrahë asnjë mundësi për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, duke thënë se Kosova është pjesë integrale e sovranitetit serb.
Por jo vetëm kaq! Nënkryetari i Listës Srpska ka kërcënuar për destabilizimin e veriut të Kosovës. Ai betimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut e ka konsideruar si fillimin e "pushtimit" të veriut nga ana e qeverisë së zotit Kurti!
Të gjitha këto u thanë një ditë pasi këshilltari i sekretarit Blinken, Chollet, pranoi gjatë raportimit të tij në Senatin Amerikan se artikujt e New Times për bashkëpunimin e Vuçiq me bandat kriminale janë të sakta! Presidenti i Serbisë, mesa duket po e lexon deklaratën e Chollet si presion ndaj tij dhe ka zgjedhur po presionin për destabilizimin e rajonit si kundërpërgjigje!
Çfarë mendojnë Escobar dhe ambasadori Hill për këto zhvillime?! A do të vazhdojnë të përkrahin ambiciet autoritariste të presidentit të Serbisë?!