Janë bërë 7 vjet, që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vendimin lidhur me Manastirin e Deçanit.
Për këtë kanë reaguar shtetet e QUINT-it në Kosovë, të cilat kanë kërkuar që të zbatohet ky vendim i Kushtetueses, që konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë, përcjell Bota sot.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian përsërisin thirrjen për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit. Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk është zbatuar ende shtatë vjet më vonë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shtetet e QUINT-it në Prishtinë.
Ato përsërisin se janë të “bashkuara në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës”.
“Sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejme është vetëm pengesë për këtë përparim”, thuhet në deklaratë./Botasot