Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Lista Serbe duhet të fillojë të mendojë për të mirën e qytetarëve, përfshirë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë dhe mos të zbatojë agjendat destruktive.
Ish-deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, dje në një konferencë për media, ka thënë se duhet të ndalet i ashtuquajturin “represion” ndaj tyre, në të kundërtën më 1 qershor do të pasojë një përgjigje vendimtare e popullit serb.
Osmani gjatë vizitës në Mal të Zi, është pyetur edhe për këto kërcënime, derisa theksoi se Kosova respekton Kushtetutën dhe ligjet e mbi të gjitha respekton të gjithë qytetarët e saj.
Osmani: Lista Serbe mos të zbatojë agjendat destruktive
“Kosova respekton Kushtetutën dhe ligjet e saj e mbi të gjitha respekton të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie. Lista Serbe duhet të fillojë të mendoj për të mirën e qytetarëve, përfshirë qytetarët serb që jetojnë në Kosovë dhe mos të zbatoj agjendat destruktive”, tha ajo.
Përndryshe, dje pas betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, përfaqësues të Listës Serbe nxituan për të bërë kërcënimet e para publike, pavarësisht se zgjedhja e kryetarëve të komunave veriore është në përputhje të plotë më ligjin e Republikës së Kosovës, ashtu siç edhe kanë deklaruar shtetet e QUINT-it.
Përmes një konference, jo për herë të parë, Lista Serbe ka bërë kërcënime të hapura dhe të qarta për paralajmërim për trazira në veri të vendit, në të njëjtën linjë retorike sikurse presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Ish-deputeti i kësaj liste, Igor Simiq në një konferencë për media, së bashku me katër ish-kryetarët e komunave në veri të vendit, foli për të ashtuquajturin “represion” ndaj tyre por pa ofruar ndonjë fakt mbi këto pretendime.
“Më 1 qershor do të pasojë një përgjigje vendimtare e popullit serb”, tha ai.
Përndryshe, Osmani ishte në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ku morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq. Në inaugurim po ashtu kanë marrë pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit. Aty u panë edhe të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.
Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq bëri sot betimin në Kuvend, duke marrë zyrtarisht detyrën e presidentit. Ai tha se procesi i Berlinit për vendin e tij mbetet ura kryesore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit, por gjithashtu mund të edhe nismat ekonomike rajonale. Millatoviq shtoi se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se afrimi i rajonit tonë drejt BE-së, është ilaçi më i mirë kundër rishpikjes së politikave destruktive të së shkuarës.