Mbrojta e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, Venkateswari Alagendra, ka thënë se dëshmitari i prokurorisë është konfuz gjatë deklaratave të tij. Në gjykatoren e Hagës po dëgjohet dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).
Derisa ajo ka parashtruar pyetje për dëshmitarin lidhur me një person, i koduar si “numri 2”, dëshmitari fliste për “numrin 4”.
Alagendra: Na thatë që shkuat në vendin e incidentit dhe patë dy trupa të vdekur atje, dhe u larguat me makinë në shtëpi, dhe thatë se i treguat ‘numrit 2’ se çfarë kishte ndodhur a është e saktë kjo?
Alagendra: A u ktheve mbrapshtë në vendin e incidentit ku ishin trupat e vdekur pasi i tregoni ‘numrit 2’ çfarë kishte ndodhur?
Dëshmitari: I kam treguar para se mi pa kufomat, tu shku i kam treguar që i kanë marrë, kah jam kthyer prej shpatit tjetër e kam parë makinën e tij në shpat, unë kam qenë në shpatin tjetër.
Alagendra: Po flisni për ‘numrin 2’?
Dëshmitari: Kur kam shkuar në shtëpi ‘numri 2’ dhe ‘numri 4’ kanë shkuar tek vendi i ngjarjes e kanë marr armën dhe kanë vazhduar rrugën përpjetë fshatit.
Alagendra: Të nderuar gjykatës më duket sikur dëshmitari është pak konfuz, a po thoni që ‘numri 2’ dhe ‘numri 4’ shkuan bashkë me njëri tjetrin?
Dëshmitari: ‘Numri 4’ me ‘numrin 5’, më falni.
Alagendra: Pyetje ime ka të bëjë me ‘numrin 2’ pasi shkuat në vendin e incidentit kur patë se çfarë kishte ndodhur aty u kthyet mbrapshtë në fshat dhe i thatë ‘numrit 2’ se çfarë kishte ndodhur, kështu?
Dëshmitari: I kam thënë para se me shkua tek vendi i ngjarjes, kur kam shkuar tek vendi i ngjarjes më nuk e kam parë ‘numrin 2’, nuk kam komunikuar me ‘numrin 4’ në të vërtetë.
Më pas, mbrojtja e Jakup Krasniqi ka kërkuar që marrjen në pyetje ta bëjë në seancë të mbyllur për publikun.
Dëshmitari i pestë i ZPS-së gjatë javës së kaluar u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe atyre të mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ndërsa sot ka dhënë dëshmi në pyetjet e mbrojtjes së ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.