Dje u bënë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë foli për këto zgjedhje, duke theksuar se nuk pati asnjë incident, ishin të qeta dhe paqësore.
Ai potencoi se frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar, ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tanë serbë në këto zgjedhje.
'Vota e munguar, ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik.
Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komunat tona në veri të vendit, janë të shpeshta dhe të vazhdueshme.
Por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht, nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme",u shpreh kryeministri.
Ai rikujtoi edhe rastin e betimit të kryetarit të Komunës veriore të Mitrovicës të premten e kaluar, z. Erden Atiq.
"Kjo është normale, pas një procesi zgjedhor, e Nënkryetarja e Komunës, u emërua Katarina Axhançiq, që vjen nga radhët e komunitetit serb.
Edhe kjo është normale për këtë komunë. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, e prej tyre dy gra. E ky është progres, që duhet normalizuar", theksoi Kurti.
Ai tha se nesër, në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat konstituive dhe betimi edhe i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
"Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbetën pa kryetarë. Dy prej tyre edhe pa kuvende. E banorët atje, pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale.
Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarëve pa dallim.
Kjo nuk është zgjedhje. Ky është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend.
Sepse, të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në republikë.
Ju falemnderit", përfundoi kryeministri.
-----------------
Qeveria e Kosovës sot (e mërkurë) do ta mbajë mbledhjen e radhës.
Mbledhja pritet të fillojë nga ora 11:00.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk bëhet e ditur agjenda e saj.
Detajet priten të japen gjatë mbajtjes së mbledhjes.