Tre kryetarët e zgjedhur të tri komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, nesër do të bëjnë betimin si kryetarë të rinj të këtyre komunave.
Kryeministri Albin Kurti tha sot se betimi do të ndodhë nëpër objekte publike, pa specifikuar se në çfarë objektesh e ka fjalën.
Pikërisht për këtë çështje, opinionistja Laura Kryeziu ka thënë se kjo tregon paaftësinë e vendit për ta shtrirë sovranitetin e plotë në këtë pjesë të Kosovës.
Ajo tha se de jure, mund ta shtrijmë sovranitetin në këtë pjesë të territorit, por thekson se “de fakto kemi dështuar”.
“Nesër kemi me pas një situatë në të cilën kemi me qenë dëshmitarë se kush e udhëheq veriun e vendit tonë. Nëse themi se këta kryetarë betimin kanë me dhënë në objekte publike, munden me qenë edhe në baraka siç u mbajtën zgjedhjet. Për mua kjo është e dhimbshme sepse tregon paaftësinë dhe fuqinë e vendit tim dhe qeverisë time në të cilën, pavarësisht rrethanave dhe pavarësisht përpjekjeve, ne do ta vërtetojmë që ndoshta de jure po mundohemi ta shtrijmë sovranitetin tonë atje, por de fakto jemi të dështuar”, deklaroi Kryeziu në Rubikon.