Cili do të jetë roli i kryetarëve të zgjedhur në veri? Flasin të zgjedhurit dhe njohësit e Kushtetutës

Aktuale

Cili do të jetë roli i kryetarëve të zgjedhur në veri? Flasin të zgjedhurit dhe njohësit e Kushtetutës

Më: 25 maj 2023 Në ora: 17:32
Ilustrim

Me betimin edhe të tre kryetarëve të tjerë, në veri të vendit, më saktësisht në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut, e Leposaviqit ka marrë fund komplet procesi i zgjedhjeve të 23 prillit.

Derisa kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq është betuar gjashtë ditë më parë.

Por, ajo që nxiti debate të shumta për rolin e tyre ishte një deklaratë e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier i cili ka thënë se pret që kryetarët e zgjedhur në veri të kenë rol teknik dhe jo politik.

Por, vetëm dy ditë më parë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se kryetarët e katër komunave veriore, e kanë rolin e përcaktuar nga Kushtetuta e Kosovës.

Duke shtuar se është e paligjshme nëse do të merrnin më pak kompetenca se që u takojnë.

Që nuk duhet dhe nuk mund të kenë rol teknik kryetarët në veri, e thotë edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.

“Kryetarët e komunave atje kanë kaluar një proces elektoral i cili është i bazuar në Kushtetutë dhe në ligj dhe ata kur të marrin detyrën duhet të zbatojnë ligjet në fuqi dhe Kushtetutën, pra ata duhet të punojnë jo në baza teknike dhe punë teknike, ajo është absurd i absurdeve. Ata ose zbatojnë ligjet e në ligje janë të shkruara obligimet e tyre se çka duhet të bëjnë ata ose nuk zbatojnë”, ka deklaruar Baraliu.

Sipas Baraliut, procesi zgjedhor në veri të vendit ka qenë i rregullt.

Ani pse serbët nuk kanë marrë pjesë, Baraliu thotë askush nuk iu ka ndaluar, por se këtë e kanë bërë me qëllime politike.

“Ka kaluar një proces atje, ka qenë dalja e ulët por procesi është plotësisht i rregullt dhe ata kanë marrë mandat, dikush tjetër nuk e ka shfrytëzuar të drejtën, dhe mos shfrytëzimi i të drejtës nuk është mohim i së drejtës. Atyre iu është dhënë por me qëllime politike destruktive. Lista Serbe dhe Beogradi nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre dhe i kanë bojkotuar zgjedhjet për qëllime po them thjesht destabilizuese dhe anti-qytetare”, është shprehur ai.

E, në rast se ndonjëri prej kryetarëve nuk i kryen detyrat dhe përgjegjësitë siç i takojnë atëherë, Baraliu thotë se bën shkelje.

“Nuk ka punë teknike e të tjera, por ka punë dhe obligime e përgjegjësi ligjore, ata kryetarë atje dhe asamblist të gjithë bashkërisht duhet t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që i kanë kushtetuese dhe juridike ligjore, përndryshe bëjnë shkelje”, ka shtuar ndër të tjera Baraliu.

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri i cili është betuar sot ka thënë se është kryetar me kompetenca të plota kushtetuese.

Ne jemi kryetarë me kompetenca të plota kushtetuese mirëpo do të jemi në harmoni të plotë me të gjithë faktorët relevantë që janë, edhe në komunë por edhe në qeverisje, unë do të zbatoj ligjin në formën më të mirë të mundshme”, është shprehur Zeqiri.

Kurse i pyetur se a është i gatshëm të jep dorëheqje në rast se i kërkohet për shkak të kompromiseve politike ai ka thënë se interesi shtetëror për të është para atij personal.

“Unë edhe më parë jam përgjigj për këtë, më së paku është interes i imi personal, ose qoftë i karrierës sime, gjithçka që unë mbaj përgjegjësi është interes shtetëror, është interes nacional  dhe interes qytetar, asnjëherë para interesit qytetar e shtetëror nuk do të jetë vetja ime”, ka thënë ai.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit janë mbajtur më 23 prill .

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok të parët kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetar i Leposaviqit është zgjedhur Lulzim Hetimi nga LVV-ja, më 73.3%, i Zubin Potokut Izmir Zeqiri më 52.2% nga PDK-ja, Ilir Peci në komunën e Zveçanit më 59%, po ashtu nga PDK-ja dhe në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq nga LVV-ja, më 66.95.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat