Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli,duke komentuar betimin e tre kryetarëve të rinj të komunave veriore, të cilët betimin e bënë jo në objektet komunale, tha se ky ka qenë një proces ceremonial dhe se ndërtesa nuk e bën funksional një asamble komunale apo një kryetar të zgjedhur nga votat e qytetarëve.
“Ne, si Qeveri edhe si Institucione, në vazhdimësi kemi thënë dhe jemi angazhu që të kalojë ky proces pa tensione, për të mos u dhënë shkas pretendimeve të Serbisë se ne po dojmë të instalojmë diçka dhunshëm dhe kemi qenë të kujdesshëm që në ato objekte ku ka pasur vlerësime se mund të ketë tensionim të situatës apo mund të zhvillohet ndonjë skenë jo e këndshme, nuk kemi dëshiruar që ta çojmë përpara, por ta zhvillojmë një proces krejt normal ligjor inaugurimin e kryetarëve dhe të asambleve, për shkak se është krejt ceremonial dhe nuk e pengon fare kryetarin dhe asamblenë që të merr vendime në të mirën e qytetarëve në të ardhmen.
Tash e tutje, edhe ato pjesë i kanë kryetarët e vet, i kanë asambletë funksionale për marrjen e vendimeve, për realizimin e buxhetit dhe ofrimin e shërbimeve”, tha Dugolli.
Ai tha se nuk e mohon faktin që do të ishte më mirë që betimi i kryetarëve të rinj të bëhet në objektet komunale, por sipas tij, ky proces është kryer në ato kushte dhe rrethana, megjithatë në objekte publike.