Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallzimin e situatës.
“Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkroi në Twitter Blerim Vela shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.
I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.
Ky vendim u mor për shkak të situatës në Kosovë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Radio-Televizioni i Serbisë raportoi se ushtria serbe ka marrë urdhër që “të lëvizë urgjentisht” drejt kufirit me Kosovën.
REL-i nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarët në terren, Policia e Kosovës ka hyrë tashmë në objektin e Komunës së Zveçanit.
Në Zubin Potok, situata aktualisht është e qetë, konfirmoi për REL-in ish-këshilltari i Kuvendit Komunal atje, Millija Bishevac.
Ngjashëm raportohet edhe për situatën në Leposaviq.