Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit dhe të Zubin Potokut – komuna të banuara me shumicë serbe – përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Raportohet se kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tash ka hyrë tashmë në ndërtesën e komunës.
Paraprakisht, edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, e ka konfirmuar se ndodhet brenda objektit të Komunës, në zyrën e kryetarit.
Nga ana tjetër, Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë.
Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallzimin e situatës.
“Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkroi në Twitter Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.